×
  • Sport
  • Sport

    Arsenali e la jashtë skuadrës për Premier Ligë, këto janë opsionet e Ozil për vazhdimin e karrierës

    Reporteri
    21 Tetor 2020 | 16:18

    Fantazisti turko-gjerman Mesut Ozil u transferua me bujë te Arsenali në verën e 2013-ës, por marrëdhëniet mes palëve erdhën duke u rënduar nga viti në vit dhe tani 32-vjeçari nuk është përfshirë nga klubi londinez as në listën e federimeve të Champions-it dhe as në atë të kampionatit.


    Prej kohësh drejtuesit e “topçinjve” kanë provuar të ndërpresin bashkëpunimin me Ozil dhe së fundi i kanë kërkuar zyrtarisht këtij të fundit që të ulë pagën, por kanë marrë refuzime të vazhdueshme, ndaj janë “hakmarrë” duke e lënë në tribunë.

    Gjithsesi vetë Ozil nuk duket aspak i shqetësuar nga ky vendim, pasi prej kohësh luante shumë pak dhe për më tepër, duke nisur nga 30 qershori i vitit të ardhshëm do të jetë lojtar i lirë dhe do të mund të vendosë vetë për të ardhmen e tij.

    Opsioni më i mundshëm për momentin është ai kthimit të Ozil për të luajtur në kampionatin turk, duke qenë se vetë 32-vjeçari është parë shumë i lidhur me vendin e tij të lindjes vitet e fundit.

    Megjithatë për fantazistin që fitoi edhe Kupën e Botës me Gjermaninë në 2014-ën, nuk përjashtohet as një transferim në MLS-në amerikane, apo kampionatin kinez, ku do të mund të përfitonte një pagë të majme për vitet e mbetura të karrierës.

    Pak ditë më parë Ozil u bë protagonist për mirë, pasi vendosi të paguajë rrogën e personit që drejtonte maskotën “Gunnersaurus”, emblemë e Arsenalit, por që së fundi ishte pushuar nga puna nga drejtuesit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!