Luka Modrici ia dorëzoi Lionel Messit Topin e Artë të hënën në mbrëmje, gjatë ceremonisë të mbajtur në Paris, dhe ky veprim i tij ka bërë që kroati të marrë lëvdata edhe nga rivalja e madhe e Real Madridit, Barcelona.
Luka Modrici e pati sërish mbrëmë në duar çmimin, të cilin e kishte fituar vitin e kaluar falë triumfit në Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe arritjen deri në finale të Kupës së Botës me Kroacinë, mirëpo këtë herë vetëm për disa momente, transmeton Express.
Kroati ia dorëzoi menjëherë Messit Topin e Artë këtë vit, pasi ylli i Argjentinës dhe Barcelonës e shijoi një vit mbresëlënës dhe theu rekord duke e fituar këtë çmim për herë të gashtë në karrierë.
“Sportet dhe futbolli s’kanë të bëjnë vetëm me fitoret, kanë të bëjnë edhe me respektin që e ke për bashkëlojtarët dhe rivalët”, shkroi Modrici në Twitter, pas ceremonisë.
Klubi katalonas iu përgjigj shpejt mesfushorit kroat të Real Madridit, duke e cilësuar atë si “fisnik të vërtetë”.
?A true gentleman, @lukamodric10. #FairPlay #BallonDor https://t.co/VvcfERd30z
— FC Barcelona (@FCBarcelona) December 2, 2019
Në tapetin e kuq, Modrici vazhdoi sërish duke e lavdëruar argjentinasin, të cilit ia kishte uruar trofeun dhe i kishte thënë se e meritonte atë gjatë kohës sa po ia dorëzonte atë.
“Messi është mbresëlënës, njëri ndër më të mirët e të gjithë kohëve dhe unë e përgëzoj atë për atë që e ka bërë”, u shpreh Modrici.
“Mund të jetë traditë e mirë që fituesi në fuqi i trofeut t’ia japë trofeun fituesit të radhës”.
“Unë jam këtu sepse futbolli ka të bëjë më respektin, për këtë arsye erdha këtu ta, ta përgëzoj atë dhe t’ia japë çmimin”.