Bernard Challandes është shfaqur në konferencë për shtyp kur kanë mbetur më pak se 24 orë deri në përballjen e Kosovës me Çekinë
Kosova e pret Çekinë nesër në Fadil Vokrri me ndeshjen e cila është e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020, raporton Reporter.net
Challandes sot ka dalur në konferencë për media ku ka folur për këtë takim, por në një moment ai ka filluar edhe të bërtas.
Selektori pranoi pyetje të ndryshme nga gazetarët, derisa tha se Kosova nesër duhet të luajë një ndeshje të çmendur ndaj Çekisë dhe se lojtarët e tij duhet të jenë të përgatitur për të bërë presion tër kohën në kundërshtarin.
“Skuadra duhet të tregojë pasion këtu në Prishtinë. Ne mund të ëndërrojmë. Na duhet një lojë e çmendur,” ka thënë Challandes.
Njëri nga gazetarët e pranishëm e pyeti Challandesin nëse kjo loja e çmendur do të thotë që do të shohim një Kosovë shumë ofenzive me lojtarë si Berisha, Zhegrova.
Më pas vjen përgjigjia e Challandes, i cili në një moment fillon edhe të bërtas dhe shpjegon se çka është loja e çmendur sipas tij.
“Nëse unë po flas për ndeshje të çmendur, unë nuk e kam fjalën vetëm për këtë apo atë lojtar. Mendoj, për shembull, nëse dua ta zbatoj një taktikë për të bërë presion… që numri dhjetë të shkojë te qendërmbrojtësi, që sulmuesi të shkojë te tjetri dhe ne të punojmë bashkë. Ky është presion me taktikë”, ka thënë Challandes.
“Në një ndeshje të çmendur, themi: “SHKO, SHKO, SHKO, SHKO”. Nuk ka të bëjë me taktika, ndoshta nuk është e duhura, nuk është vrapimi i duhur, por e kemi këtu (në kokë). Dua të fitoj topin, dua ta fitoj ndeshjen. Ndoshta ne e humbim topin dhe prapë shënojmë sepse presioni nuk është vetëm në mbrojtje, është përgatitje për një gol”.
“Ky është për mua presioni i çmendur. Me Zhegrovën apo Berishën, kjo do të jetë e njëjta për mua. Ka të bëjë me mentalitetin e lojtarëve që janë në fushë, kjo për mua është ideja e së çmendurës,”.
Ndryshe, Challandes nën drejtimin e Kosovës nuk ka pësuar asnjë humbje dhe në 13 ndeshjet e udhëhequra nga ai Kombëtarja jonë ka arritur 8 fitore dhe 5 barazime. /Reporteri.net/