Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka zbuluar një detaj interesante sa punonte në Federatën e Futbollit të Zvicrës.
Challandes e ka pranuar se ai e ka bindur Valon Behramin të zgjedh Zvicrën përpara Shqipërisë. Ai thotë se ka luftuar për këtë gjë.
”Me Valon Behramin kam luftuar për ta sjell te Zvicra. Kur e takova i thashë: ‘Me Zvicrën ti ke gjasa të luash në Evropian e në Botëror, ndërsa me Shqipërinë është shumë e vështirë’. Jam munduar ta bind, ka qenë detyra ime. E njëjta është edhe këtu[te Kosova], por bisedoj me lojtarët, prindërit dhe them jam i interesuar për këtë lojtar dhe duhet të zgjedhin. Ajo që është e rëndësishme është që të bëjmë një herë zgjidhjen”, u shpreh Challandes për ‘BlicInterview’.
I pyetur se a do ketë ardhje të reja te Kosova nga ndeshja e ardhshme, zviceriani u shpreh: ”Nuk flas për këtë punë me gazetarët, sepse ata flasin shumë dhe gjithashtu nuk mund të flas për një lojtar ose tjetër. Unë vëzhgoj lojtarët që janë në dispozicion të Kosovës. Ne kemi lojtarë të mirë dhe vetëm nëse gjej më të mirë, ndoshta që na nevojitet për një ose dy pozita, por gjithmonë është problem i ndjeshëm nëse ata zgjedhin për të luajtur për Kosovën ose për ndonjë vend tjetër”.
”Kemi raste kur lojtarët mund të luajnë për dy, tre apo katër vende. Nëse një lojtar luan për Gjermaninë U20, U21, dhe nëse ai zgjedh Gjermaninë është normale. Do prisja nëse do t’i jepej mundësia për të luajtur me Gjermaninë. Është normale në futboll kjo, nuk do të thotë tradhti e as refuzim. Të presim dhe duhet ta pranojmë nëse ai vendos të luajë për ne. Unë nuk jam një trajner që i detyroj lojtarët të zgjedhin Kosovën, ne duhet të mendojmë për futboll. E njoh situatën sepse kam përvojë me Federatën e Zvicrës”, përfundoi ai.