Kosova dhe Çekia sot përballen në Fadil Vokrri me ndeshjen që është e vlefshme për kualifikueset për Euro 2020
Bernard Challandes dhe Jaroslav Slihavy presin që skuadrat e tyre të tregojnë ndeshje të madhe sot dhe asnjëri nuk dëshiron më pak se 3 pikë nga kjo përballje, shkruan Reporteri.net
Selektori i Kosovës ka thënë se duhet një ndeshje e çmendur sot në mënyrë që ëndrra për Euro 2020 të vazhdojë.
“Skuadra duhet të tregojë pasion këtu në Prishtinë. Ne mund të ëndërrojmë. Na duhet një lojë e çmendur,” ka thënë Challandes.
68 vjeçari në konferencën e fundit për shtyp e ka përmendur edhe Marek Suchy, mbrojtësin e Çekisë. Zvicerani ka kërkuar nga skuadra e tij që lojtarët të luajnë dhe të bëjnë presion në mbrojtjen kundërshtare në mënyrë që ata të humbasin topin dhe në këtë mënyrë të vjen edhe goli.
Trajneri i Çekisë, Jaroslav Slihavy është optimist se skuadra e tij mund ta fitojë këtë përballje, derisa ka frikë nga anësori i Kosovës, Edon Zhegrova.
“Për ne është me rëndësi të luajmë dhe të fitojmë. Edhe bullgarët kanë luajtur këtu dhe asgjë nuk ka ndodhur. Ne presim ndeshje të mirë nga ana jonë,” ka thënë Slihavy.
“Do ta respektojmë Kosovën e cila ka mungesa, por e ka një Zhegrova me plot energji. Ata dalin shpejt nga mbrojtja në sulm. Kam thënë se pas Anglisë, të gjitha Kombëtaret janë të përafërta në grupin tonë. Ne duhet të bazohemi në lojë tonë,”. /Reporteri.net/