×
  • Sport
  • Sport

    Dhe tradita vazhdon… Gjermania e mposht Portugalinë në ‘Allianz Arena’

    Reporteri
    19 Qershor 2021 | 20:00

    Gjermania ka arritur të shënojë fitore në ndeshjen e zjarrtë që u luajt në “Allianz Arena” ndaj Portugalisë. Gjermanët shënuan fitore me rezultat 2:4 për t’i shijuar pikët e para në këtë Evropian.


    Cristiano Ronaldo e hapi festën e golave në minutën e 15-të duke e kaluar Portugalinë në epërsi. Por, Gjermania u kundërpërgjigj pas 20 minutave duke i shënuar dy gola të shpejtë, të dy autogola.

    Ruben Dias shënoi autogolin e parë në minutën e 35-të, kurse katër minuta më vonë edhe Guerrerio shënoi autogol për ta dërguar Gjermaninë në epërsi pas 45 minutave të parë.

    Me t’u nisur pjesa e dytë, nisën edhe golat. Kai Havertz shënoi për 1:3 në minutën e 51-të. Nëntë minuta më vonë, Gosens shënoi për 1:4.

    Kampioni në fuqi i Evropës arriti të shënonte golin e dytë nëpërmjet Diogo Jotas, por nuk arritën të bënin më shumë, me ç’rast Gjermania iu gëzua pikëve të para dhe e qetë e pret Hungarinë në ndeshjen e fundit.

    Me këtë fitore, Gjermania shkon në vendin e dytë me tri pikë, aq sa ka edhe Portugalia në vendin e tretë.

    Franca prin në këtë grup me katër pikë, kurse Hungaria është e fundit me vetëm një pikë.

    Kujtojmë se portugezët kanë bilanc negativ në përballjet me Gjermaninë, ndërsa nuk kanë fituar asnjëherë në 20 vitet e fundit.

    Herën e fundit që portugezët arritën të mposhtnin gjermanët është në Euro 2000 , që u mbajt në Belgjikë dhe Holandë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!