×
  • Sport
  • Sport

    Distria Krasniqi ngel pa medalje në Botërorin e Xhudos në Hungari

    Reporteri
    06 Qershor 2021 | 17:54

    Distria Krasniqi ka dështuar të fitojë medalje në Kampionatin Botëror të Xhudos 2021, pasi u mposht në finale për të bronztën të dielën në Hungari.


    Xhudistja kosovare Krasniqi u mposht nga Urantsetseg Munkhbat në finale për vendin e tretë në kategorinë -48 kilogramë në Botërorin e Xhudos në Budapest, raporton Express.

    Si pasojë, numri një i botës në kategorinë -48 kilogramë duhet të pajtohet vetëm me vendin e pestë në këtë botëror.

    Në një luftë të barabartë pa shumë cilës, xhudistja mongole fitoi pas gjashtë minutave shtesë dhe falë penalizimit të kosovares me tri shido (karton i kuq).

    Pasi e kaloi rrethin e parë pa luftë, Krasniqi i fitoi tri luftërat e radhës dhe arriti deri në gjysmëfinale ku u ndal nga japonezja Natsumi Tsunoda, duke humbur mundësinë për të luftuar për medaljen e artë.

    Ajo e pati edhe një mundësi tjetër për t’u kthyer nga Hungaria me medalje, por finalja për të bronztën kundër mongoles nuk shkoi sipas planit të 24-vjeçares.

    Kampionia evropiane zuri vetëm vendin e pestë në kategorinë e saj.

    Kosova do të përfaqësohet edhe me katër xhudistë të tjerë në ditët në vazhdim të Botërorit të Budapestit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!