×
  • Sport
  • Sport

    Ditë të zeza po vijnë për Shaqirin te Liverpooli, sherri i Zvicrës

    Reporteri
    10 Korrik 2019 | 13:46

    Xherdan Shaqiri fitoi trofeun më të çmueshëm në futboll sezonin e kaluar duke u shpallur kampion me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve, sukses ky që për hir të së vërtetës nuk është se ishte meritë e madhe e kosovarit.


    Ai gjatë karrierës së tij arriti që të luajë në klube të mëdha si Bayern, Inter e tash së fundmi në Liverpool, por nuk arriti që të jetë së paku ndër protagonistët e skuadrës, shkruan Reporteri.net

    Së fundmi, ai ka qenë pjesë e Kombëtares së Zvicrës në ndeshjet e Ligës së Kombeve ku pësoi një lëndim në pulpin e këmbës e që pritet ta mbajë atë jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë, kjo edhe u konfirmua nga Jurgen Klopp dje.

    “Shaqa është akoma i lënduar prej ekipit Kombëtar dhe do të duhet një kohë e gjatë për ta parë atë në aksion prapë. Ai ka një çarje në pulpin e këmbës së tij, kështu që ai nuk do të përfshihet për një kohë”, ka thënë Klopp për Liverpoolfc.com, transmeton Reporteri.net

    Pikërisht shkaku i këtij lëndimi që Shaqiri e pësoi me Zvicrën, mund t’ia sheh sherrin në ekipin ku ai luan, në Liverpool.

    Liverpoolit së fundmi iu janë kthyer nga lëndimi Oxlade Chamberlain dhe Harry Wilson që u rikthye nga huazimi i suksesshëm që kishte me skuadrën e Derby Countyt, ku arriti të shënojë 18 gola e të dhurojë disa asiste.

    Këto dy rikthime mund të ndikojnë në hapësirat që do të ketë Shaqiri në Liverpoolin e këtij sezoni, pasi ashtu si vitin e kaluar, këtë vit klubi synon të jetë edhe më konkurrues, sidomos në garën për titullin e Premierligës.

    Por, sikur të mjaftonin vetëm kthimi i Chambos e Wilson, Liverpooli synon transferimin e njërit nga Depay apo Nabil Fekir, me këtë të fundit që më shumë sillet stacioneve të Liverpoolit sesa që luan ndeshje për Lyonin.

    Pra, shkaku i Zvicrës, Shaqiri mund të ‘digjet’ profesionalisht dhe mos të shoh më dritë në fund të tunelit për sa i përket pozitës së titullarit tek kampionët e Evropës.

    Ndryshe, siç raportohet nga mediet angleze, për Shaqirin ka shprehur interesim skuadra londineze West Ham të cilët kanë ofruar një shumë prej 22 milionë funteve./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!