Përfaqësuesi portugez në futboll, Cristiano Ronaldo, e ka mohuar se ka nënshkruar kontratë me klubin nga Arabia Saudite, Al Nassr, raportojnë mediat britanike.
Gazeta sportive spanjolle “Marka” pak ditë më parë bëri të ditur se Ronaldo do të vazhdojë karrierën në Al Nassr nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe thuhet se ka nënshkruar një kontratë shumëvjeçare që do t’i fitojë 200 milionë euro në sezon.
Portugalia mbrëmë u kualifikua në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar, pasi mposhti Zvicrën me rezultat 6:1 dhe Ronaldo hyri në lojë vetëm në minutën e 74-të, transmeton Reporteri.net.
Futbollistët portugez kanë festuar me tifozët pas ndeshjes, ndërsa Ronaldo ka shkuar më herët në dhomën e zhveshjes. Gazetarët e pyetën kapitenin e kombëtares portugeze nëse kishte nënshkruar kontratë me Al Nassr.
“Jo, nuk është e vërtetë”, u përgjigj shkurt Ronaldo dhe më pas i uroi shërim të shpejtë futbollistit legjendar brazilian Pele.
Ronaldo më pas u shfaq në rrjetet sociale.
“Një ditë e pabesueshme për Portugalinë, një rezultat historik në kompeticionin më të madh në botë. Lojë e shkëlqyer nga një ekip plot talent dhe të rinj. Kombëtarja jonë i meriton të gjitha urimet. Ëndrra është ende e gjallë. Le të shkojmë deri në fund”, ka shkruar Ronaldo në Instagram.
Ai aktualisht është pa angazhim, pasi ka ndërprerë kontratën me Manchester United para fillimit të Botërorit. /Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.