Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me sqarim në sajtin zyrtar për zhvillimet e fundit në FFK. Gjatë ditës u raportua se u dyshua të ketë ndodhur rrahje mes kryetarit të FFK-së, Agim Ademit, dhe punëtorit të FFK-së, Artan Govori.
Ky rast u konfirmua nga Policia e Kosovës që ka thënë se Govori është duke u intervistuar.
Rastin për Gazetën Online “Reporteri.net” e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 14:00 e kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhur në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë, FFK-ja ka reaguar duke thënë se detyrohet t’i përgënjeshtrojë “raportimet e pavërteta”. Tha se nuk ka ndodhur asnjë sulm brenda selisë së FFK-së.
“Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin lidhur me raportimet e mediave për kinse sulm fizik të presidentit Agim Ademi ndaj njërit prej punëtorëve të administratës, Artan Govori brenda selisë së FFK-së. FFK edhe njëherë shpreh indinjatën e saj dhe detyrohet të përgënjeshtrojë raportimet e tilla të pavërteta. Në selinë e FFK-së nuk ka ndodhur kurrfarë sulmi fizik, siç raportohet në media, por thjesht ka qenë një debat i zakonshëm për natyrat e punës brenda federatës. Janë stafi i FFK-së dhe dëshmitarë tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet kur aludohet se ka pasur sulm fizik, e që në fakt ka qenë vetëm një debat. Raportimet e tilla janë në vazhdën e inskenimeve, presioneve e shantazheve që po bëhen nga persona që nuk kanë aspak të bëjnë me futbollin dhe që synojnë që nëpërmjet formave të tilla të vijnë deri te kapja e këtij institucioni. Sidoqoftë, FFK si institucion kredibil do të vazhdojë rrugëtimin e saj përkundër presioneve të tilla, me qëllimin e vetëm për progres të futbollit kosovar dhe që t’i mbajë larg këtij institucioni dhe larg futbollit njerëzit e grupeve të interesit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Përleshje në FFK, Agim Ademi e sulmon fizikisht një zyrtar të Federatës
Këto zhvillime në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë ndodhur pak kohë para se të mbahen zgjedhjet për të parin e FFK-së.
Data është caktuar të jetë 6 prilli.
Ademi synon ta fitojë mandatin e dytë në krye të FFK-së, kurse kandidat i tij do të jetë Gramoz Vokrri, i biri i legjendës, Fadil Vokrri.