×
  • Sport
  • Sport

    Finalja e madhe e Ligës së Kampionëve: Starton ndeshja Manchester City VS Chelsea

    Reporteri
    29 Maj 2021 | 21:05

    Manchester City dhe Chelsea do të kërkojnë sonte të mbyllin sezonin me trofeun me të veçantë për klube, Champions League. City i Pep Guardiolës e kërkon për herë të parë në histori këtë trofe, derisa Chelsea për herë të dytë, pas triumfit në vitin 2012.


    Pasi nuk arriti sukses vitin e kaluar me PSG-në duke humbur në finale nga Bayerni, Thomas Tuchel do të kërkojë sonte trofeun e parë në karrierë.

    Në anën tjetër, Pep Guardiola ka vuajtur shumë që prej largimit nga Barcelona, pasi arriti për herë të parë në finale të Champions League që nga atëherë, derisa me katalunasit e ka fituar dy herë këtë trofe.

    Rrugëtimi i Manchester Cityt dhe Chelseas deri në finalen e Champions Leagues

    City e përfundoi fazën e grupeve në mënyrë fantastike në pozitën e parë duke shënuar pesë fitore dhe vetëm një barazim, atë ndaj Portos pa gola. Në këto gjashtë duele, City shënoi 13 gola dhe pranoi vetëm një.

    Në 1/8 e finales, Manchester City do të kishte punë me skuadrën gjermane, Borussia Monchengladbach, të cilën e mposhti 4:0 me rezultat të përgjithshëm nga dy ndeshjet (0:2, 2:0). Në çerekfinale përballë skuadrës angleze do të vendosej një tjetër ekip gjerman, Borussia Dortmund. Manchester City e kaloi me sukses duke fituar 4:2 me rezultat të përgjithshëm (2:1, 1:2).

    Përballja më e vështirë për të zgjedhurit e Guardiolas do të ishte gjysmëfinalja, ku do të përballeshin me nënkampionin e Evropës, Paris Saint-Germain. Në të dy ndeshjet, anglezët fituan, rezultati 4:1, (1:2, 2:0), duke prekur finalen e madhe.

    Edhe Chelsea e përfundoi fazën e grupeve në vendin e pare me 14 pikë gjithsej, duke shënuar katër fitore dhe dy barazime. Në këto gjashtë ndeshje, Chelsea shënoi 14 gola dhe pranoi dy.

    Në 1/8 e finales Chelsea eliminoi Atletico Madridin 3:0 me rezultat të përgjithshëm (0:1, 2:0). Në çerekfinale pati fat duke u përballur me Porton, të cilën e mposhti me rezultat të përgjithshëm 2:1 (0:2, 0:1). Në gjysmëfinale i mati forcat me Real Madridin duke e eliminuar me rezultat të përgjithshëm 3:1 (1:1, 2:0).

    Sondazhi i UEFA-s për finalen e Champions League

    UEFA gjatë ditës ka publikuar një sondazh për tifozët duke i pyetur se kush do të triumfojë në finale. Tifozët besojnë se Manchester City do ta marrë titullin e parë të Ligës së Kampionëve, teksa për ta votuan 55% e respondentëve. Në anën tjetër 45% votuan për Chelsean.

    Vlera në treg e dy ekipeve finaliste të Champions Leagues

    Manchester City ka vlerë më të madhe se Chelsea në treg. Vlera e tyre kalon 1 miliard euro, 1.02 miliard saktësisht. Në anën tjetër vlera e Chelseas shkon në 786.8 milionë euro. Futbollisti më i vlefshëm i Cityt është Kevin de Bruyne me vlerë 100 milioë euro, kurse te Chelsea më i vlefshmi është Mason Mount 75 milionë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!