×
  • Sport
  • Sport

    Gjithçka gati për olimpistët kosovarë në “Tokio 2020”, Ambasada e Kosovës në Japoni jep detaje

    Reporteri
    19 Korrik 2021 | 18:10

    Autor: Mirlind Behluli


    Në lojërat olimpike “Tokyo 2020”, Kosova përfaqësohet nga 11 sportistë të cilët tashmë kanë filluar të udhëtojnë për në kryeqytetin e Japonisë. Të parët që kanë mbërritur në shtetin japonez janë xhudistët kosovarë. Atyre gjatë ditëve në vijim do t’iu bashkohen edhe sportistët e tjerë e përfaqësues nga Komiteti Olimpik i Kosovës.


    Olimpistët kosovarë po qëndrojnë në qytetin e Sanjos pasi kështu u morën vesh KOK-u e autoritetet japoneze në një letër-marrëveshje. Më pas, të gjithë ata do të qëndrojnë në fshatin olimpik në Tokio, ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike ndërmjet 22 korrikut deri me 8 gusht.

    Arbër Mehmeti, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Tokio, i ka treguar Gazetës Online “Reporteri.net” se nuk ka pasur probleme rreth pajisjes me viza të sportistëve, të cilat procedura i kreu KOK-u.

    “Lidhur me problemet e natyrës së vizave apo probleme tjera teknike, deri në këto momente mund të them se nuk kemi informata për probleme të tilla. Për fat të mirë, me datën 15 korrik i gjithë ekipi olimpik i xhudos ka rezultuar negativ në testet për covid-19, gjithashtu jemi informuar se xhudistët tanë, në testet ditore për Covid-19 në Sanjo kanë rezultuar negativ edhe në ditën e dytë dhe tretë.

    Tutje, Mehmeti ka treguar edhe numrin e kosovarëve që pritet që qëndrojnë në Tokio.

    “Procedurat e organizimit të ardhjes së olimpistëve të Kosovës në Japoni kanë nisur tashmë qe një kohë të gjatë, Komiteti Olimpik i Kosovës është institucioni kryesor përmes të cilit janë bërë edhe aranzhimet dhe përgatitjet e nevojshme. Nëse llogarisim edhe shtyrjen për një vit të Lojërave Olimpike dhe Para-Olimpike verore “Tokyo2020”, si pasojë e pandemisë globale të Covid-19, mund të themi se procedurat kanë nisur së paku tash e dy vite më parë. Sikurse dihet në Lojërat Olimpike verore Tokyo2020 Kosova do marrë pjesë me njëmbëdhjetë garues, duke llogaritur edhe trajnerët dhe stafin teknik të olimpistëve që janë të domosdoshëm, numri i delegacionit të Kosovës pritet të jetë rrethe njëzet pjesëmarrës”, shtoi Mehmeti.

    Diplomati kosovar ka treguar edhe për interesimin që kanë mediat japoneze për olimpistët kosovarë posaçërisht xhudistët.

    “Ardhja e më hershme në Japoni e Ekipit Olimpik të xhudos të Kosovës, si pjesë e projektit të “Host Town” është publiciteti më i mirë që ka mundur ti ndodhë Kosovës dhe përfaqësueseve të saj në prag të kësaj Olimpiade. Datë 17 korrik, janë të paktën pesë televizione japoneze me shtrirje nacionale që kanë dhënë kronika të veçanta për xhudistët olimpik të Kosovës, gjithashtu informata dhe raportime për xhudistët e Kosovës në Sanjo, Prefektura e Niigata kanë dhënë edhe një numër i madhe i mediave online dhe të shtypura japoneze”, deklaroi Mehmeti për Reporteri.net.

    Në një postim në Facebook, KOK-u ka shkruar se tashmë flamuri i Kosovës po valon në Fshatin Olimpik në Tokio.

    “Fotot e para nga Fshati Olimpik i Lojërave Olimpike Tokio 2020, i nisim me flamurin tonë, i cili po valon përkrahë flamujëve të tjerë. Në Fshatin Olimpik deri më tani është vendosur vetëm shefi i misionit, Jeton Rudari. Një pjesë e delegacionit udhëton sonte, kurse sportistë tjerë udhëtojnë të mërkurën, të enjten dhe më 27 korrik, varësisht nga orari i garave”, ka shkruar KOK-ut.

    Javën e kaluar, Presidentja Vjosa Osmani ia dorëzoi flamurin e Kosovës xhudistës kosovare, Majlina Kelmendi, e cila është edhe sportistja e vetme me medalje të artë olimpike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!