Gjyqtarët kosovarë me punë të dyta: Arsimtar, pronarë lokalesh e studentë, disa punonin edhe si shofer e punëtor në bastore

Dikush shofer, dikush arsimtar, dikush student, dikush merret me gastronomi e dikush tjetër punon në minierë.


Sikurse në të gjithë botën, edhe në Kosovë gjyqtarët e futbollit merren me profesione të ndryshme dhe shumë të veçanta.

“Zeri.info” jua zbulon profesionet e dyta të disa prej gjyqtarëve më të njohur në Kosovë.

Pesë herë gjyqtari më i mirë në Kosovë i shpallur nga FFK-ja, Genc Nuza, është pjesë e logjistikës në MKRS, derisa më herët ka punuar si shofer në të njëjtën Ministri.

Njëri nga “bilbilat” më në formë aktualisht, Mervan Bejtullahu, më herët ka punuar në lotarinë e Kosovës.

“Kam punuar në lotarinë e Kosovës, por kur ato janë ndalur me ligj, sot merrem vetëm me referim”, thotë Bejtullahu.

Gjyqtari tjetër nga Gjilani, Shpëtim Murtezi, është student, derisa për “Zeri.info” thotë se e ka në plan që së shpejti ta hapë edhe një kafene.

Besfort Kasumi merret me gastronomi teksa e menaxhon një restorant në Prishtinë.

Ndryshe, gjyqtari nga Peja Gramoz Shala punon në arsim.

Një tjetër emër i njohur në fanellën e gjyqtarëve është Selim Isufi, i cili punon në kompaninë “Trepça”.

Për dallim nga këta, ka të atillë që gëzojnë vetëm pagën e gjyqtarit.

Gjyqtari i ri, Mentor Ajeti, punon në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës si administrator dhe gjithashtu është student.

Kolegu i tij i ri në Superligën e Kosovës, Lirim Jashari momentalisht i është përkushtuar vetëm referimit. Dardan Çaka sikur i është përkushtuar vetëm profesionit të gjyqtarit dhe momentalisht nuk bën asnjë punë tjetër, ashtu edhe Fatmir Tahiri.

Edhe Tefik Maloku momentalisht po merret vetëm me ndarjen e drejtësisë. Ai më herët ka punuar në bastore, të cilat tashmë janë ndalur me ligj.

Të kujtojmë se gjyqtari kryesor në Kosovë për një ndeshje paguhet me 200 euro, ndërsa asistentët paguhen me 150 euro.