Kosova iu është rikthyer stërvitjeve pas ndeshjes ndaj Sllovenisë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë.
Dardanët, në orët e mëngjesit të të hënës arritën në Prishtinë, teksa në orët e mbrëmjes futbollistët që nuk luajtën dhe ata që ishin më pak të angazhuar në ndeshjen e zhvilluar në Lubjanë mbajtën stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndërkohë, pjesa tjetër e lojtarëve zhvilluan seancë rigjeneruese në hotel. Në ndeshjen kundër Moldavisë, Kosova nuk do ta ketë në dispozicion Bernard Berishën, i cili është i pezulluar për shkak të kartonëve dhe tashmë ka udhëtuar drejt Rusisë për t’u bashkuar me klubin e tij.
Mirëpo, lajmi i mirë është se për këtë sfidë rikthehet në mesfushë Herolind Shala, futbollisti që vrapon pa ndalë dhe është tejet i rëndësishëm për ‘Dardanët’. Ai mungoi në takim ndaj Sllovenisë shkaku i kartonëve, ndërsa mungesa e tij është vërejtur jashtëzakonisht shumë në mesfushë.
Po ashtu, gëzon fakti se në seancën e të hënës është stërvitur Bersant Celina, i cili mungoi në ndeshjen kundër sllovenëve për shkak të shqetësimeve me muskujt e këmbës dhe pritet që të jetë i gatshëm për Moldavinë.
Tani e gjithë vëmendja është te dueli me moldavët, ku synohet që me rezultat pozitiv të sigurohet mbetja në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.