Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, e ka nisur menjëherë punën sot, duke zhvilluar takime me drejtuesit e Romës për çështjet që lidhen me Alexis Saelemaekers, Tammy Abraham dhe talentin e ri, Francesco Camarda.
Edhe pse njoftimi zyrtar për emërimin e Tares erdhi vetëm mbrëmjen e sotme – disa ditë pasi ishte raportuar marrëveshja dhe kontrata trevjeçare – ai kishte filluar detyrën e re që prej orëve të para të pasdites, kur u pa duke hyrë në selinë e “Casa Milan”.
Pak më vonë, atij iu bashkuan drejtori sportiv i Romës, Florent Ghisolfi, si dhe agjenti Beppe Riso, i cili kishte vepruar si ndërmjetës edhe verën e kaluar në shkëmbimin me huazim të Saelemaekers dhe Abraham mes dy klubeve.
Të dy lojtarët ishin transferuar në huazime “të thata”, pa asnjë klauzolë për blerje përfundimtare të përfshirë në marrëveshje, ndaj kushtet e mundshme për vazhdim apo blerje duhen negociuar nga e para.
Sipas “MilanNews.it”, Roma ka shprehur qartë dëshirën për ta blerë Saelemaekers përfundimisht, ndërsa Milani është më pak entuziast për të mbajtur Tammy Abraham, duke qenë i pavendosur për të ardhmen e tij.
Një tjetër temë e diskutimit ishte e ardhmja e Francesco Camarda, talenti i madh i skuadrës së të rinjve të Milanit.
Sulmuesi, i cili festoi 17-vjetorin në mars, ka nevojë për më shumë minuta loje sezonin e ardhshëm.
Një huazim te Roma shihet si alternativë reale, veçanërisht pasi skuadra e Milan Futuro është rënë nga Serie C, duke kufizuar mundësitë për zhvillim të nivelit të lartë.
Camarda ka bërë 14 paraqitje me ekipin e parë këtë sezon – shumica si zëvendësues – duke grumbulluar gjithsej 234 minuta lojë, dhe Milani dëshiron ta menaxhojë me kujdes progresin e tij./Express