×
  • Sport
  • Sport

    Italianët të shkatërruar pas eliminimit nga Maqedonia e Veriut

    Reporteri
    25 Mars 2022 | 15:51

    Për herë të dytë radhazi Italia mbeti jashtë botërorit. Azzurrët, nuk do të jenë në Katar, ashtu siç nuk ishin në Rusi 2018, pasi u eliminuan në të njëjtën fazë të play-off. Fitimi i Euro 2020 verën e kaluar tani është një kujtim i hidhur për kombëtaren italiane pasi ata nuk arritën të siguronin një biletë në Qatar për Kupën e Botës, transmeton Reporteri.net.

    Humbja e mbrëmshme nga Maqedonia e Veriut, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës ka shtangur shumëkënd në futboll. Një humbje nga Maqedonia e Veriut ishte e papritur edhe për vetë futbollistët italianë, të cilët  menjëherë pas përfundimit të ndeshjes u deklaruan se kjo  humbje ka lënë boshllok të madh në kampin e tyre.

    “Është e qartë se jemi të shkatërruar dhe të dërrmuar, një boshllëk i madh do të mbetet brenda nesh. Ka një zhgënjim të madh. Edhe sot bëmë një lojë të mirë, por nuk arritëm të shënonim. Nga shtatori e deri më sot kemi bërë gabime dhe i kemi paguar“, tha mbrojtësi veteran Giorgio Chiellini pas humbjes nga Maqedonia e Veriut.

    Ndërkohë mesfushori, Marco Verratti tha se goli i Maqedonisë së Veriut në kohën shtesë ishte një “makth i vërtetë”. “Ky grup kishte një shans të madh në Kupën e Botës,” tha ai. “Ne kemi ardhur nga rekordi i pamposhtur, kështu që është e vështirë të pranosh atë që ndodhi sonte. Të gjithë e dimë se kemi dhënë gjithçka. Tani me siguri është koha t’i bëjmë vetes disa pyetje,” shtoi Verrati, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Online Reporteri.

    Që nga ngritja e Kupës së Botës në 2006, Italia nuk ka luajtur asnjë lojë me eliminim direkt në Kupën e Botës dhe ka fituar një ndeshje të fazës së grupeve, duke mundur Anglinë në 2014. Si kampione në fuqi në vitin 2010, Italia u rrëzua në fazën e grupeve, duke barazuar me Zelandën e Re dhe duke humbur nga Sllovakia.

    Humbja ndaj Suedisë në nëntor 2017 çoi në mungesën e parë të Italisë në finalet e Kupës së Botës që nga viti 1958, dhe në kualifikimet për Qatar 2022, skuadra e Roberto Mancinit, përfundoi e dyta pas Zvicrës në grupin e tyre kualifikues.

    I pakënaqur me rezultatin e kombëtares që ai drejton u shpreh edhe Mancini, i cili deklaroi  “që është shumë e vështirë të thuash diçka tani”.

    “Vera e kaluar ishte gëzimi më i bukur, tani vjen zhgënjimi më i madh. Nuk është e lehtë të mendosh për gjëra të tjera. Më vjen shumë keq për djemtë: i dua shumë më tepër sonte se në korrik. Unë jam trajneri, unë jam përgjegjësi i parë, djemtë jo. Ata kanë një të ardhme të madhe, janë lojtarë të fortë për të ardhmen e kombëtares. Ne nuk e merituam këtë humbje”.

    Kujtojmë që Italia vitin e kaluar ishte shpallur kampione e Evropës, duke e mposhtur Anglinë pas ekzekutimit të penaltive. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!