Edicionin e kaluar la gjurmë në futbollin e Kosovës duke mahnitur me paraqitjet e tij në fanellën e Ballkanit, skuadër kjo që drejtohet nga trajneri Ismet Munishi.
Talenti dhe lojërat i tij u shpaguan, derisa në adresë të tij vështruan oferta nga jashtë Kosovës. Ai vendosi për tokën turke, teksa firmosi kontratë me klubin elitar Yeni Malatyaspor. Fjala është për Jetmir Topallin.
Futbollisti nga Kosova, Jetmir Topalli, ia ka bërë sefte me gol në skuadrën e tij të re, Yeni Malatyaspor.
Sulmuesi Topalli të enjten shënoi një gol në fitoren e Yeni Malatyasporit ndaj Artvin Hopasporit, në kuadër të rundit të tretë në Kupën e Turqisë, raporton “Zeri.info”.
Topalli shënoi gol të bukur, që ia dha fitoren ekipit të tij për rezultatin 2:0.
22-vjeçari në një bisedë për “Zeri.info” rrëfehet për emocionet që përjetoi në momentin e shënimit të golit.
“Golin e parë e përjetova me shumë emocion, pasi ishte ndeshja e parë që zhvillova në shtëpi dhe isha tejet i kënaqur, pasi punën e madhe që e kam bërë gjatë këtyre muajve Allahu ma shpërbleu. Në ekip ishin të kënaqur me golin dhe i falënderoj të gjithë që më kanë përkrahur prej momentit që jam këtu”, nis bisedën për “Zeri.info” Jetmir Topalli.
Futbollisti, që është pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës U-21 dhe e ka regjistruar edhe një ndeshje me Përfaqësuesen A (ndeshjen miqësore ndaj Suedisë në Katar), golin e parë ia dedikon familjes.
“Golin e parë dua t’ia dedikoj familjes në fillim dhe të gjithë atyre që më kanë mbështetur në këtë kohë”, theksoi sulmuesi këmbëshpejtë me teknikë të rrallë.
Jetmiri ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me këtë klub, duke bërë hapin e madh në karrierën e tij.
Topalli pret të ketë edhe më shumë hapësirë në klubin turk.
Kjo ishte vetëm paraqitja e tij e katërt te Malatyaspori dhe e para në kuadër të Kupës së Turqisë.
“Me ekipin kam filluar të përshtatem shumë mirë edhe pse fillimi ka qenë i vështirë. Me ndihmën e bashkëlojtarëve kam filluar të përshtatem”, pohoi ai.
I pyetur për dallimin në mes të futbollit të Kosovës dhe atij turk, Topalli deklaroi:
“Dallimi është i madh, mbi të gjitha në aspektin e infrastrukturës. Këtu pothuajse nuk mungon asgjë dhe gjithashtu tempoja e lojës, përgatitja fizike dhe taktike janë në nivel të lartë”.
Topalli assesi nuk po mund të ndahet nga futbolli i Kosovës, derisa thotë se po i përcjell pothuajse të gjitha ndeshjet e Superligës.
“Jam duke e përcjellë gati çdo ndeshje, sidomos të Ballkani i kam shikuar të gjitha. Ky kampionat është tejet interesant se në vitin e kaluar dhe mendoj se rivaliteti më i madh do të jetë ne mes të Ballkanit dhe Dritës. Si kampion në fund e parashikoj Ballkanin”, përfundoi Jetmir Topalli.