×
  • Sport
  • Sport

    Këto janë rezultatet e Kosovës me trajnerin Alain Giresse

    Reporteri
    20 Qershor 2023 | 19:16

    Kosova i ndau sot përfundimisht rrugët me selektorin e deritashëm, Alain Giresse.

    Trajneri francez i ka dhënë fund eksperiencës në Kombëtaren e Kosovës, me të cilën nuk pati rezultate të kënaqshme.

    Legjenda franceze u takua sot me krerët e Federatës së Futbollit, me të cilët e nxorën përfundimin që “martesa” mes tyre të marrë fund këtu.

    Ndonëse thuhet se bëhet fjalë për një shkarkim, FFK-ja në njoftimin e saj tha se ndarja ndodhi me marrëveshje të dyanshme.

    Shtëpia e futbollit kosovar shtoi se largimi i Giresse vjen pas humbjes së fundit nga Bjellorusia.

    Gjithashtu, FFK-ja e falënderoi trajnerin për punën e bërë, ndërsa paralajmëroi edhe reforma të tjera në ekipin kombëtar.

    Por, si ishte rrugëtimi i trajnerit francez në krye të “Dardanëve”.

    Giresse e kishte nisur eksperiencën tek Kosova me një fitore 5:0 ndaj Burkina Fasos në miqësore dhe me një barazim me Zvicrën, 1:1 në mars të vitit 2022, shkruan “Gazeta Express”.

    Tifozët ëndërruan përkohësisht, duke menduar se Kosova kishte rënë në trajnerin e duhur.

    Megjithatë, gjithçka më pas shkoi mbrapshtë.

    Me Giressen, Kosova i fitoi vetëm tri ndeshje zyrtare, ndaj Qipros dy herë dhe kundër Irlandës së Veriut, krahas asaj miqësore me Burkina Fason.

    Gjithashtu, i pati edhe tri barazime në ndeshje zyrtare, me Izraelin, Andorrën dhe Rumaninë, krahas barazimeve në miqësore me Zvicrën, Armeninë dhe Ishujt Faro.

    Kosova i pati katër humbje me francezin, të gjitha në ndeshje zyrtare kualifikuese, nga Greqia dy herë, nga Irlanda e Veriut dhe së fundmi nga Bjellorusia, shkruan “Gazeta Express”.

    Në total, me Giressen, përfshirë këtu ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore, Kosova i pati 4 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje.

    Këto rezultate të zbehta e lanë ekipin Verdhekaltër thuajse pa gjasa për t’u kualifikuar në Euro 2024, që ishte objektiv i tyre./Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!