×
  • Sport
  • Sport

    Koeman shpjegon pse e la në stol Griezmann: Kjo është Barça që dua

    Reporteri
    25 Nëntor 2020 | 12:51

    Ronald Koeman pretendoi se nuk kishte asgjë të keqe prapa vendimit të tij për të mos startuar me Antoine Griezmann në fitoren 4-0 të Barcelonës ndaj Dinamo Kyiv, në Ligën e Kampionëve, të martën.


    Francezi zëvendësoi Philippe Coutinho në minutën e 66-të të lojës, duke shënuar një gol. Marrëdhënia e Griezmann me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, i cili u la pushim në këtë transfertë, ka qenë nën vëzhgim kohët e fundit, pas komenteve nga ish-agjenti dhe xhaxhai i tij.

    Sidoqoftë, Koeman tha se Griezmann ishte i lumtur në “Camp Nou”. Ai thjesht ishte i kujdesshëm me ngarkesën e punës së 29-vjeçarit: “Griezmann ishte në stol vetëm për një problem të vogël fizik, me të cilin donim të ishim të kujdesshëm. Është jetike t’u japësh pushim disave dhe t’u rezervosh aktivizim atyre që punojnë shumë në stërvitje çdo ditë, por nuk kanë luajtur shumë.

    Unë e kam parë Griezmann duke punuar që nga fillimi, është një lojtar i lumtur, i cili gjithmonë jep më të mirën për ekipin dhe klubin. Sa keq që nuk ka fat për të shënuar më shumë gola. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë është të punojë më shumë. Ai po përpiqet”.

    Koeman pretendoi se fitorja e Barçës ndaj Dinamos, e cila siguroi kualifikimin në 16-she, ishte lloji i performancës që dëshiron të shohë të përsëritur në La Liga. Blaugrana-t po lëngojnë në vendin e 13-të të renditjes, pas tri fitoreve, tri humbjeve dhe dy barazimeve në tetë ndeshjet e para të kampionatit spanjoll. Ky është fillimi i tyre më i keq për një sezon, në këtë fazë të La Liga-s, që nga 1991-1992.

    “Ky është imazhi i Barcelonës, që duam të shohim, – shtoi trajneri hollandez. – Më pëlqeu performanca kolektive. Lojtarët kanë punuar shumë, kanë shtyrë përpara. E dominuan lojën mjaftueshëm, sa të ishin krenarë për performancën e tyre. Mbase na mungoi pak efektiviteti në pjesën e parë, por në përgjithësi jam shumë i lumtur.

    Ne kemi parë një ekip shumë të uritur, shënuam katër gola. Lojtarët e rëndësishëm ishin në gjendje të pushonin dhe të rinjtë i kanë merituar këto minuta. Përgëzoj të gjithë ekipin”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!