Kosova sapo ka mbërritur në Batumi, ku të enjten do të përballet me Gjeorgjinë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022.
Kombëtarja e Kosovës u mblodh të hënën në Prishtinë, ku i nisi përgatitjet për tri ndeshjet e shtatorit me dy stërvitje në Stadiumin Fadil Vokrri, para se të udhëtonte drejt Gjeorgjisë mëngjesin e sotëm.
Në Batumi, dardanët do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit sot në orën 17:00, para përballjes të enjten, ku do të kenë mundësinë të ambientohen me fushën e stadiumit “Batumi Arena”, i cili do të inaugurohet pikërisht këtë mesjavë.
Me ekipin nuk ka udhëtuar Milot Rashica, ylli i Norwich City i cili nuk u lejua nga klubi i Premierligës për shkak se Gjeorgjia është në listën e Britanisë së Madhe për vendet me rrezikshmëri të lartë të virusit Covid-19.
Ai do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e tjera në Prishtinë, kundër Greqisë dhe Spanjës.
Kosova është ende në kërkim të fitores së parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e saj.
Kjo është hera e dytë që kombëtarja verdhekaltër merr pjesë në kualifikimet e Botërorit dhe ato i nisi keq përsëri, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në Grupin B, kundër Spanjës dhe ndaj Suedisë.
Pas përballjes me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, verdhekaltrit do të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.
Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.