×
  • Sport
  • Sport

    Kosova po bëhet edhe më e fortë për ndeshjet e nëntorit, Ademi paralajmëron prurjet e reja

    Reporteri
    18 Tetor 2019 | 11:54

    Vërshëllima e fundit e gjyqtarit portugez Artur Soares Dias të hënën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka qenë njëra nga vërshëllimat më të këndshme që është dëgjuar ndonjëherë nga tifozët e Kosovës. Ajo vërshëllimë ia solli një fitore të madhe Kosovës, e cila e afron shumë afër kualifikimit në Kampionatin Evropian.


    Kosova mahnitëse, Kosova e frikshme, Kosova e pandalshme. Këta ishin tituj që pushtuan mediet ndërkombëtare e të cilat vazhdojnë të mos e kenë shumë të qartë se si një vend aq i vogël, i dalë nga një luftë e tmerrshme, po bën hapa gjigantë për një periudhë kaq të shkurtër.

    Askush nuk kishte besuar se Kosova në eliminatoret e para për Evropian do të jetë tema më e diskutuar, por ja që Kosova e Challandesit e arriti këtë, madje nuk po lë më vend as për befasi.

    Nga sukseset e Kosovës tash askush më nuk po befasohet. Të gjithë janë gati të presin fitoren e radhës dhe po e shohin si një gjë normale.

    Njeriu i parë i futbollit të Kosovës, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një bisedë për gazetën “Zëri” ka rrëfyer gjerë e gjatë për rrugëtimin e Përfaqësueses së Kosovës, për të arriturat, për befasitë, për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, për pritshmëritë, për ëndrrën e tij, për kualifikimin në Kampionatin Evropian, për të ardhmen e trajnerit Challandes, për infrastrukturën, për “Dardanët”, për incidentin në ndeshjen me Malin e Zi, për biletat, si dhe për prurjet e reja që mund t’i bashkohen Kosovës në një të ardhme të afërt.

    Prurjet e reja, në nëntor?

    Kosova së fundmi i ka befasuar tifozët e vet, duke sjellë zëra të njohur në ekipin përfaqësues. I tillë ishte Florent Muslija, që diskutohej për mundësinë të bëhet pjesë e Gjermanisë, por ai i tha “Po” Kosovës. Ademi ka thënë se në nëntor tifozët kosovarë do t’i gostitë me një tjetër befasi.

    “Sigurisht që do të ketë shumë risi edhe në nëntor. Unë nuk jap emra në këtë moment thjesht për ta ruajtur korrektësinë ndaj lojtarëve, por janë disa lojtarë shumë të dëshirueshëm për ne që mund të bëhen pjesë e Kosovës. Tash jemi në një pozicion ku nuk dua t’i thur lavde vetes, por si meritë e rezultateve të këtyre djemve dhe organizimi i mirë po bën që të gjithë shqiptarë të cilët jetojnë jashtë ta duan Kosovën dhe të jenë pjesë e këtij suksesi”, ka deklaruar Agim Ademi për gazetën “Zëri”.

    Kosova në nëntor luan ndaj Çekisë në udhëtim dhe Anglisë në Prishtinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!