Kombëtarja e Kosovës do të bëhet me selektor të ri javën që vjen.
Për këtë ka siguruar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Dardanët” janë në kërkim të përzgjedhësit të ri nga muaji tetor i vitit të kaluar kur u ndanë me ish-selektorin, Bernard Challandes.
“Të mërkurën do të dihet gjithçka. Jemi në bisedime me pesë trajnerë, gjermanë dhe zviceranë. Njëri prej tyre mund të emërohet selektor. Nuk ka trajnerë turq në opsion”, deklaroi kreu i futbollit kosovar për Express.
Ademi konfirmoi se Felix Magath është ende në opsion. Ndërkohë, zbuloi se asnjëri nga trajnerët të cilëve u është bërë oferta, nuk kanë kthyer ende përgjigje.
Kosova është pa trajner që prej se e FFK-ja e shkarkoi zviceranin Bernard Challandes në tetor të vitit të kaluar.
Trajneri zviceran kishte marrëveshje me Kosovën deri në dhjetor 2022, por epokës së tij në krye të kombëtares dardane i erdhi fundi një vit më herët, pas një fushate tejet dëshpëruese në kualifikime për Kupën e Botës 2022.
Në 28 ndeshje zyrtare me Kosovën, Challandes i arriti 9 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje.
Kosova e ka për ngut ta emërojë trajnerin e ri, pasi dëshiron që ekipi të njoftohet me udhëheqësin e tyre me kohë para fillimit të edicionit të ri në Ligën e Kombeve në qershor.
Por fillimisht, verdhekaltrit do të përballen me Zvicrën në një ndeshje miqësore me 29 mars.
Kosova është në një Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, ku përballë ka Greqinë, Irlandën Veriore dhe Qipron apo Estoninë.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.