×
  • Sport
  • Sport

    Kosova zhvillon sot miqësoren me Gjibraltarin

    Reporteri
    10 Tetor 2019 | 8:02

    Djemtë e Kosovës do të dalin sërish në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” sot në orën 18:00 për ndeshjen miqësore kundër Gjibraltarit, që e paraprin atë kundër Malit të Zi në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.


    Përderisa Kosova shpeshherë e ka dëshmuar se mund të garojë edhe me Kombëtare të radhitura shumë më lart se vetë në renditjen botërore të FIFA-s, edhe duke i mposhtur shumë prej tyre – këtë herë Dardanët do ta kenë epërsinë në këtë listë, shkruan Gazeta Express.

    Kosova radhitet në pozitën e 119-të në listën e FIFA-s, Gjibraltari është plot 78 vende më poshtë, në pozitën e 197-të, dhe vjen në “Fadil Vokrri” me një ecuri prej tetë ndeshjesh të humbura radhazi.

    Në anën tjetër janë djemtë e Bernard Challandes, të cilët nuk kishin pësuar disfatë në 15 ndeshje radhazi para se ta zhvillonin ndeshjen e fundit në shtator – që përfundoi me rezultat 5:3 për Anglinë.

    Përkundër që rëndësia e kësaj ndeshjeje është më e vogël sesa ajo me Malin e Zi dhe shumë lojtarë mund ta ketë mendjen te ndeshja e së hënës, tifozët e Kosovës presin të shohin spektakël nga lojtarët e tyre – veçanërisht pas kthimit të Milot Rashicës, Herolind Shalës dhe Benjamin Kolollit nga lëndimet.

    Në stërvitjen e fundit Challandes i ka provuar disa skema të lojës, teksa ka paralajmëruar se kundër Gjibraltarit do t’i japë hapësirë futbollistëve që kanë luajtur më pak në ndeshjet e deritashme, por edhe që kanë pasur më pak minuta lojë në klubet e tyre.

    Duke folur të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë, Challandes tha se anësori vushtrrias Milot Rashica është plotësisht i gatshëm, por nuk do të rrezikojë me të dhe ta ruajë për ndeshjen e së hënës kundër Malit të Zi.

    “Rashica është më mirë. Do të jetë gati për të hënën, nesër nuk do të rrezikojmë”, tha Challandes.

    Challandes foli edhe për një pjesë të futbollistëve të tjerë, të cilët përballen me shqetësime.

    “Muriqi po ushtron, Shala sot do të ushtrojë me ekipin. Paqarada e Vojvoda kanë po ashtu lëndime të lehta, por mund të ushtrojnë dhe të jenë gati”, shtoi ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!