Paris Saint-Germain është cilësuar si favorit për të fituar titullin e Ligës së Kampionëve UEFA për sezonin 2024/25, sipas superkompjuterit të njohur të statistikave, Opta.
Pas një paraqitjeje mbresëlënëse në gjysmëfinale, ku mposhti Arsenalin me rezultat të përgjithshëm 3-1, PSG ka siguruar një vend në finalen e madhe, ku do të luajë me Interin, në ndeshjen që do të zhvillohet më 31 maj 2025 në Allianz Arena të Mynihut.
Sipas analizave të Opta, shanset e ekipit francez për të ngritur trofeun më prestigjioz të klubeve në Evropë janë vlerësuar në 53.6%.
Në anën tjetër, kundërshtari i tyre në finale, Interi, që eliminoi Barcelonën pas një beteje dramatike, ka një probabilitet prej 46.4% për triumf.
Kjo do të jetë finalja e dytë në historinë e PSG-së në këtë kompeticion. Parizienët e patën mundësinë të fitonin trofeun në vitin 2020, por u ndalën nga Bayern Munich në finalen e Lisbonës.
Tani, me një skuadër të mbushur me lojtarë të rinj dhe të udhëhequr nga trajneri Luis Enrique, ata janë më të vendosur se kurrë për ta sjellë për herë të parë trofeun në Paris.
Në anën tjetër, Interi kërkon të rikthehet në majën e Evropës për herë të katërt në histori, pas suksesit të fundit në sezonin 2009/10 nën drejtimin e José Mourinhos.
Finalja në Mynih pritet të jetë një spektakël i vërtetë, ku dy nga skuadrat më të forta të kontinentit do të përballen për lavdinë e Evropës.