Cristiano Ronaldo e postoi një mesazh në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, pasi vendosi të mos shkojë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të FIFA-s, ku rivali i tij, Lionel Messi, u emërua futbollisti më i mirë i vitit në botë.
Ylli portugez i Juventusit u rangua futbollisti i tretë më i mirë në botë, prapa Lionel Messit të Barcelonës dhe Virgil van Dijkut të Liverpoolit, por ai vendosi të mos shkojë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të FIFA-s të hënën, në Milan, transmeton Gazeta Express.
34-vjeçari nuk do të luajë në ndeshjen e radhës të Juventusit në Serie A, kundër Brescias të martën, për shkak të një lëndimi të lehtë. Mirëpo, pas ceremonisë së FIFA-s, Ronaldo e shfrytëzoi llogarinë e tij në Instagram për ta postuar një mesazh.
“Durimi dhe këmbëngulja janë dy karakteristikat që e bëjnë dallimin mes një profesionisti dhe një amatori”, shkroi Ronaldo.
“Gjithçka që është e madhe sot ka nisur nga diçka e vogël. Nuk mund të bësh gjithçka, por bëj gjithçka që mundesh për t’i bërë ëndrrat e tua realitet dhe mbaje në mend që pas çdo nate, vjen mëngjesi”, ka shkruar Ronaldo.
Ronaldo nuk e votoi Messin në top treshen e tij për këtë çmim, duke zgjedhur ta votojë bashkëlojtarin e tij në Juventus, Matthijs de Ligtin, Frenkie De Jongun dhe Kylian Mbappen.
Megjithatë, Messi e votoi Ronaldon si zgjedhjen e tij të dytë, para Frenkie De Jongut e pas Sadio Manes të Liverpoolit.