×
  • Sport
  • Sport

    Lajm i mirë për përfaqësuesen e futbollit, Astrit Selmani i thotë po Kosovës

    Reporteri
    25 Shkurt 2021 | 22:51

    Astrit Selmani do të jetë emër i ri në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Sulmuesi Selmani ka kompletuar dokumentacionin, ndërsa me shumë mundësi do të jetë pjesë e “Dardanëve” për ndeshjet e muajit mars.


    Kosova në muajin tjetër do t’i luajë tri ndeshje. Fillimisht e luan ndeshjen miqësore kundër Lituanisë më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

    Më pas i luan dy ndeshjet e ciklit të ri kualifikues, atij për Kampionatin Botëror të vitit 2022 kundër Suedisë dhe Spanjës. Ndaj Suedisë, Kosova luan në Prishtinë më 28 mars, kurse pas tri ditësh në Sevilla luan kundër Spanjës.

    KOHA nga burimet e saj brenda Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) merr vesh që përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, do ta përfshijë Selmanin në ekip për tri ndeshjet e marsit. Edhe vetë futbollisti i Hammarbyt suedez të enjten ka treguar për KOHËN se i ka kompletuar të gjitha dokumentacionet dhe se pret t’i realizohet ëndrra që të luajë për Kosovën.

    “Letrat janë duke u kryer. Pra gjithçka që varet prej meje është përfunduar. I kam kryer të gjitha, tash jam në pritje të pasaportës së Kosovës. Kam biseduar edhe me drejtuesit e Federatës sot dhe puna është mirë. Në Federatë më kanë ndihmuar shumë rreth dokumentacionit”, ka thënë Selmani.

    Ai po e realizon një ëndërr.

    ”Do të isha i kënaqur nëse do ta kisha mundësinë të luaja për Kosovën. Gjërat po shkojnë në atë drejtim. Ëndrra ime është të luaj për Kosovën dhe po më realizohet kjo ëndërr”, ka shtuar Selmani për KOHËN.

    Sulmuesi i skuadrës elitare të Suedisë, Hammarby, është i lindur në Malmo të Suedisë, por me rrënjë është nga Mitrovica. Ai nuk ka luajtur ende në nivel përfaqësuesesh. Një gjë të tillë do ta bëjë me Kosovën. Selmani shumë herë ka përsëritur se do të ishte krenar po të luante për përfaqësuesen e Kosovës.

    Kosova ka disa lojtarë në Skandinavi, ndërsa edhe Suedia është vend që “furnizon” ekipet përfaqësuese të Kosovës.

    Kosova është bazuar në sulmuesit shtatlartë Vedat Muriqi e Atdhe Nuhiu në vitet e fundit. Selmani është tip tjetër i lojtarit. Është këmbëngulës dhe nuhatës i golit. Loja e Kosovës në sulm do të fitojë dimension tjetër me ardhjen e sulmuesit energjik.

    Ai është zbulim i edicionit 2020 në Allsvenskan të Suedisë. Edicionin e vitit të kaluar 23-vjeçari e ka përfunduar me plot 15 gola e gjashtë asistime. Me të përfunduar sezoni i kaluar në elitën e futbollit të Suedisë, u largua nga Varbergsi për t’iu bashkuar Hammarbyt, klub me të cilin nënshkroi kontratë deri në fund të vitit 2024.

    Ai tregon se ofertat nuk i mungonin, madje edhe jashtë Suedisë, por thotë se nuk i ka rënë pishman që zgjodhi që të luajë për ekipin e idhullit të tij – Zlatan Ibrahimoviq. Ibrahimoviq te Hammarby ka 23.5% të aksioneve.

    Selmani është i kënaqur me startin te Hammarby. E ka vazhduar aty ku e ka lënë vitin e kaluar. Po shënon dhe po asiston. Në dy ndeshje të kupës ka shënuar një gol dhe ka asistuar një tjetër.

    “E kam ndërruar klubin, por po e vazhdoj formën e sezonit të kaluar. Është më vështirë për një lojtar kur ndërron skuadër. Këtë e dinë të gjithë. Por mua nuk më ka penguar aspak, jam adaptuar shumë shpejt në klubin e ri dhe shoqërinë e re. Më kanë pritur goxha mirë të gjithë dhe sigurisht pritjet nga unë janë të mëdha. Unë jam i gatshëm ta marr përsipër përgjegjësinë në fazën e sulmit. Jam shumë i kënaqur me startin. Kam filluar me gola e asistime, kjo edhe është detyra ime dhe dua ta vazhdoj në mënyrën më të mirë. Shëndeti është më me rëndësi, të tjerat më mbesin t’i realizoj në fushë”, ka thënë Selmani.

    Para se të largohej nga Varbergsi, Selmani karrierë ka bërë edhe te skuadrat e tjera suedeze, Torns, Rosengard, Kristianstad, Angelholm dhe BK Olympic. Ai shpreson që pas Hammarbyt dhe debutimit te Kosova, ta bëjë shpejt edhe ndonjë hap më të madh në karrierë.

    Edhe mesfushori Orges Bunjaku, që aktivizohet te Baseli i Zvicrës, ka gjasa të mëdha që të jetë pjesë e ekipit përfaqësueses në muajin mars, ndërsa në FFK kanë konfirmuar se janë tre futbollistë që tashmë i kanë kryer të gjitha procedurat dhe mund të jenë pjesë e Kosovës qysh nga ndeshja e ardhshme.

    “Se cilin lojtar vendos ta grumbullojë selektori Bernard Challandes, duhet të presim ende. Mirëpo mund të konfirmojmë se janë tre futbollistë që në aspektin administrativ/procedural janë të gatshëm të paraqiten me ekipin A. Prandaj, duhet të shohim nëse ata do të grumbullohen nga selektori”, tha ditë më parë për KOHËN menaxheri i përfaqësueses, Bajram Shala.

    Përforcimi i ekipit përfaqësues vlerësohet i domosdoshëm pas rezultateve dëshpëruese vitin e kaluar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!