Andy Ruiz Jr i ka dhënë fund pritjeve të shumta të fansave të boksit duke nënshkruar kontratën për revanshin e shumëpritur me britanikun Anthony Joshua.
Ruiz ka vënë firmën e tij në kontratën që parasheh se revanshi do të zhvillohet në Arabinë Saudite, një zgjedhje kjo jo e zakonshme për dy boksierë që ndeshen për tre tituj të kategorisë së rëndë, shkruan Reporteri.net
Promotori i Athony Joshuas, Eddie Hearn, ka konfirmuar se gjithçka është vendosur dhe dyshja do të përballen më 7 dhjetor, në Diriyah, ditë e shtunë.
Gjithçka kishte mbetur peng i kërkesave të meksikanit, i cili kërkonte më shumë se 9 milionë euro për revanshin e shumë kërkuar nga Joshua të cilit iu shkaktua një njollë e zezë në karrierën e tij nga kjo humbje e befasishme.
Duket se boksieri është pajtuar për kushtet personale, dhe tashmë është mësuar edhe zyrtarisht vendi dhe koha për duelin.
Kujtojmë se duelin e parë e kishte fituar Ruiz, pasi nokautoi katër herë Joshuan, për t’i marrë titujt e kampionit në kategorinë e WBO, IBF dhe WBA.
Ndeshja do të zhvillohet në ambient të hapur me fillim nga ora 22:00 me kohën tonë lokale.
Ndryshe, pas këtij dueli, fituesi mund të përballet me njërin nga Tyson Fury apo Deontay Wilder./Reporteri.net/