Legjenda serbe dhe e Crvena Zvezdës ka folur për flakën që e ka përshkuar katedralen “Notre-Dame de Paris”, e cila u shkatërrua thuajse tërësisht.
Ai e ka përmendur një rast të gjashtë muajve më parë kur në këtë katedrale, gjatë festimit të fitores në “Luftën e Madhe”, ishte vendosur flamuri i Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Zoti është i madh dhe ua ktheu francezëve këtë padrejtësi që e kishin bërë, pasi konsideron se shteti i Kosovës nuk duhet të ekzistojë.
“Francezë, a e mbani në mend 11 nëntorin 2018, në 100 vjetorin e fitores në ‘Luftën e Madhe’. Në katedrale ju e vendosët flamurin e shtetit të vetëshpallur dhe vetëquajtur narko – terrorist të Kosovës? Kush ishte përkrah presidentit tuaj? Unë e pash një shqiptar terrorist, po ju? Me mendjen në kokë, Zoti është i madh dhe sheh gjithçka”, ka shkruar Savic, ndërkohë që këtij postimi ia ka përcjellë fotografinë e Notre Dame në flakë.
Mediat serbe e kanë lidhur edhe Kosovën me një sulm eventual terrorist në shkatërrimin e kësaj katedraleje historike.