Trajneri i njohur, njëherit edhe analist i futbollit, Ardian Llumnica thotë se vullneti i delegatëve të Federatës së Futbollit të Kosovës ka qenë që Agim Ademi e meriton të udhëheq edhe për një mandat, teksa vlerëson se gjatë kohës së qeverisjes nga Ademi në krye të FFK-së janë bërë punë të mira, teksa ka folur për infrastrukturën në futbollin kosovar, ku përmend Kampin e ndërtuar të Hajvalisë si projekt madhor të saj. Në një bisedë për Gazetën Online, Reporteri.net, Llumnica thotë se për Gramoz Vokrrin ka respekt, ku shton se me këto rregulla është zgjedhur edhe Fadil Vokrri kryetar i FFK-së. Sipas tij, FFK-ja duhet mbajtur për fjale, ku në rast se nuk punon mirë duhet të gjykohet “fort”, ndërsa nëse ndodhë e kundërta ajo duhet të përgëzohet.
Profesori Llumnica vlerëson se vullneti i delegatëve ka qenë i pakontestueshëm lidhur me rizgjedhjen e Agim Ademit edhe për një mandat në krye të FFK-së.
“Meritokracinë e legjitimon vetem vullneti i delegatëve, dhe vulleti i shumicës absolute të delegatëve të FFK-së ishte që z. Ademi e meriton të udhëheq edhe për një mandat me FFK-në.
Vullneti i tyre është i pa kontestueshëm dhe është mbi çdo vlerësim e interpretim që mund ta dhajmë ne, e veçmas kur bëhet fjalë për vullnetin e më shumë se dy të tretave të delegatëve”, thotë Llumnica.
Veç të tjerash, analisti i njohur shprehet se sa i përket infrastrukturës në futbollin kosovar ka përparim.
“Infrastruktura është koncept i gjerë dhe nevoja për të është ende e madhe, sepse kemi qenë prapa me infrastrukturë. Investimi në fushat sintetike-stërvitore ka qenë i qëlluar dhe nevojë jetike për klubet dhe shkollat e futbollit, pavarësisht që ende ka nevojë për më shumë .
Infrastruktura mundëson kushtet për punë dhe sjellë cilësinë në të gjitha grupmoshat zinxhir dhe në të gjitha ligat”, shprehet ai.
Llumica vlerëson se Kampi i Hajvalisë, pastaj licencimi i trajnerëve jashtë vendit, edukimi, masovizmi si dhe projekti i VAR, janë vetëm disa, për të cilat ai vlerëson se kanë votuar delegatët në FFK. Veç kësaj ai shton se ka qenë luftë e ashpër për të parin e FFK-së, ku thotë se kjo nuk kishte ndodhur më parë.
“Kampi nacional në Hajvali është një projekt madhor në infrastrukturë që është bërë. Aty tani po stërvisin të gjitha kombëtaret zinxhir, kampet dhe grumbullimet, licencimet dhe shumëçka tjetër, e vlerësoj tej mase si investim.
Edukimi është një tjetër dikaster që ka shkuar në mënyrën më të mirë dhe tani përveç që janë licencuar qindra trajnerë me licencën D, C dhe B, tani FFK e ka fituar të drejtën edhe për Licencën A, dhe kjo është një konfirmim i punës së mirë në këtë dikaster.
Të gjithë më herët thuajse jemi licencuar në Shqipëri dhe ka qenë edhe e kushtueshme.
Masovizimi është një tjetër statistikë që tregon shumë, rritja prej 67% është fantastike dhe kjo është bërë falë ndihmës ndaj klubeve dhe shkollave të futbollit, por edhe kushteve më mira për të luajtur futboll.
Gjithashtu projektet e veçanta si Var, Gps, të drejtat televizive, liga e parë me sponzora, etj, etj, janë ato që si duket i kanë vlerësuar delegatët, pavarësisht luftës së ashpër për kreun e FFK-së që nuk mbahet mend të ketë qenë në këtë masë ndonjëherë”, vlerëson ai.
Ndërkaq, në lidhje me pamundësinë e Gramoz Vokrrit, që të jetë kandidat për të parin e FFK-së ai thotë se me të njëjtin kanë respekt të ndërsjellur, veçse sipas tij këto gjëra precizohen nga statuti, teska shton se pikërisht me këto rregulla është zgjedhur edhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.
“Me Gramozin kemi respekt të ndërsjellur, por këto gjëra i precizon statuti, ky që është, me këto rregulla dhe me këtë është zgjedhur edhe legjenda Fadil Vokrri në krye të FFK-së para disa viteve”, thekson ai.
Lidhur me ndikimin e politikës, partive politike nëpër klube të ndryshme të Superligës së Kosovës si dhe më gjerë, Ardian Llumnica vlerëson se politika është “mendësi e keqe ballakanase”, pasi sipas tij ka patur tendencë që të futen duart në futboll, por siç thotë ai në mënyrë indirekte.
E, sipas tij, delegatët e FFK-së nuk kanë rënë pre e politikës, ku theks të veçantë i vë asaj të nivelit lokal.
“Politika, kjo është mendësi e keqe ballkanase. Është pa hapur që ka pasur tendencë me i fut duart në futboll, gjithmonë tërthorazi kuptohet.
Por, delegatët nuk kane rënë pre e poltikës, sidomos te asaj në nivelin lokal, sepse në atë qëndror s’ka pasë shenja që po përzihet. Fundja delegatët vijnë nga ato qytete ku qeverisë poltika dhe klubet e tyre në një mënyrë apo tjetrën janë të lidhura me komunat perkatëse, nuk është e lehtë t’i rezistohet politikës në këtë nivel”, vlerëson ai.
Lidhur me Federatën e Futbollit të Kosovës, profesor Llumnica thotë se e njëjta duhet të mbahet për fjale, e që nëse punon sipas tij duhet të përgëzohet, ndërsa nëse ndodhë e kundërta duhet të gjykohet “fort”, edhe pse sipas Llumnicës është bërë shumë nga FFK, por që shton se ende ka vend për më shumë dhe më mirë.
FFK-në duhet ta mbajmë për fjale, ta përgëzojmë nëse punojnë mirë dhe të gjykojmë fort nëse nuk punohet, sepse pavarësisht që është bërë shumë, ka vend ende për më mirë e për më shumë”, përfundon ai.
Vlen të përmendet se Agim Ademi me 6 prill është zgjedhur edhe për një mandat në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku përballë tij nuk kishte asnjë kandidat/Reporteri/