Malazezët optimist për ndeshjen me Kosovën, vijnë në Prishtinë për fitore

Futbollisti i Malit të Zi Stefan Mugosha dhe përzgjedhësi Faruk Haxhibegiq janë shprehur optimistë për përballjen e së hënës ndaj Kosovës në Prishtinë.


Të dy kanë thënë se presin atmosferë të zjarrtë në “Fadil Vokrri”, por kanë shtuar se në Kosovë janë veç për fitore.

“Çdo herë shkojmë për të fituar dhe jo për t’u dorëzuar. Edhe kundër Kosovës nuk do të dorëzohemi, por do të kërkojmë fitore. Jam i gatshëm, jam në formë dhe mezi pres të luaj. Kosova ka ekip të shkëlqyer. Kanë lojtarë shumë të mirë që luajnë në ekipet e forta në Evropë. Por prapë e përsëris se kemi ardhur për fitore. Kemi dëgjuar për atmosferën që është në stadium. Kemi biseduar me Fatos Beqirajn, por nuk na ka treguar diçka të veçantë për Kosovën”, ka thënë Mugosha në konferencën e së dielës, një ditë para ndeshjes së vlefshme për kualifikimet për “Euro 2020”.

Përzgjedhësi Haxhibegiq ka thënë se përballjen me Kosovën e sheh si test të mirë për ekipin e tij.

“E kam njohur Fadil Vokrrin kur kemi luajtur për Jugosllavinë. Kemi qenë miq në Francë dhe është pozitive që stadiumi mban emrin e tij. Çdo herë në këtë stadium ka pasur shikues dhe nuk do të befasohem nëse do të ketë shumë shikues në stadium. E kemi bërë analizën. Nuk ka pesimizëm në ekipin tonë. Fokusi jonë është Liga e Kombeve pasi jemi ekip i ri. Atmosfera do të jetë e zjarrtë në stadium, pasi Kosova ka gjasa për kualifikim. Do të jetë test i mirë për neve dhe do të shkojmë të nxjerrim më të mirën”, ka deklaruar ai.