Valencia është shumë pranë transferimit të mbrojtësit të djathtë shqiptar, Elseid Hysaj.
Kështu njofton spanjollja “Marca”, e cila iu referohet burimeve të saj nga Italia.
Lojtari tashmë ka thënë “po”, siç konfirmohet nga agjenti i tij, Mario Giuffredi.
“Ne kemi arritur një marrëveshje me Valencian.Tani Napoli duhet të arrijë akordin me klubin spanjoll. Kemi pak kohë sepse transferimet të hënën mbyllet afati kalimtar dhe është një transferim ndërkombëtar”, konfirmoi menaxheri italian në programin “Sportitalia”.
Valencia e kontaktoi Mario Giuffredi në mesjavë pasi konfirmoi shkallën e dëmtimit të Cristiano Piccini në stërvitje.
Vlerësimi për kohën e rikuperimit të tij është diçka midis tre dhe katër muajve.
Hysaj është 25 vjeç dhe ka një karrierë të gjatë në Itali, një futboll ku nisi të luajë që i ri me Empolin, para se të transferohej te Napoli në vitin 2015.
Shkodrani kuqezi ka kontratë deri në vitin 2021 me nënkampionët e Italisë, dhe negociatat, siç raportohet nga Italia, ndaj bisedimet janë përqendruar te huazimi me të drejtë blerjeje të detyrueshme në vitin 2020.
Sipas medieve spanjolle,Valencia i ka ofruar mbrojtësit të kombëtares sonë një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë 2.8 milionë euro në sezon.
Madje klubi iberik i ka vendosur edhe një ultimatum Napolit deri në orën 22:00 të ditës së sotme për të kthyer një përgjigje, në të kundërt, operacioni nuk do të kryhet më.