Milan dhe Napoli në garë për Rashicën

Ylli kosovar do të largohet nga Werderi gjatë verës. 24 vjeçari pëlqehet edhe nga Leipzigu në Gjermani dhe nga Aston Villa në Angli.


Milot Rashica do të largohet gjithsesi nga Werder Bremeni gjatë verës që vjen. Klubi gjerman ra nga Bundesliga për herë të parë pas 41 vjetësh. Dhe, ylli kosovar sigurisht se nuk do të pranojë të luajë në ligën e dytë gjermane. Interesimi i klubeve të njohura evropiane për përfaqësuesin kosovar nuk mungon.

Së fundmi, në garë janë futur Milani dhe Napoli. Portali italian “Calciomercato” raporton se klubet nga Serie A do të provojnë ta sjellin në Itali futbollistin ofanziv, përcjell Gazeta Express. Me rënien e Werderit nga liga dhe për shkak të formës jo të mirë të lojtarit, vlera e kartonit të tij ka rënë.

Prandaj, klubet e interesuara mund ta bëjnë të vetin sulmuesin e krahut për 15 apo 16 milionë euro. Krahas Milanit e Napolit, interesim për 24 vjeçarin kanë shfaqur edhe Leipzigu në Gjermani dhe Aston Villa në Angli. Rashica i ka zhvilluar 24 ndeshje këtë sezon në Bundesligë, ndërsa i ka realizuar tre gola.