×
  • Sport
  • Sport

    Milani ia ul Lazios gjasat për titull, merr fitore të madhe për ëndrrën për Evropë

    Reporteri
    04 Korrik 2020 | 23:48

    Milani arriti ta mposhtë me rezultat 3:0 Lazion, që ëndërronte t’ia merrte Juventusit titullin e kampionit, duke i përmirësuar kështu gjasat e veta për kualifikim në Evropë.


    Kuqezinjtë e Stefano Piolit e mposhtën një Lazio të gjymtuar nga lëndimet dhe suspendimet në skuadër, duke ia dëmtuar kështu rivalit ëndrrat për titull, por duke e vazhduar ëndrrën e vet për Evropë.

    Milani kaloi në epërsi fillimisht në minutën e 23-të të ndeshjes, përmes një supergoli të shënuar nga Hakam Calhanoglu.

    Vetëm 11 minuta më vonë, sulmuesi Zlatan Ibrahimovic shënoi nga pika e penalltisë për ta dyfishuar epërsinë e Milanit. Tomas Strakosha ishte afër ta mbronte këtë penallti, mirëpo e humbi kontrollin e topit dhe skuadra e tij pësoi.

    Sulmuesi në formë, Ante Rebic, i huazuar nga Eintracht Frankfurti, shënoi në minutën e 59-të të ndeshjes për 3:0, duke ia dhënë kështu qetësinë Milanit për këtë ndeshje.

    Milani tani radhitet në pozitën e gjashtë në tabelën e Serisë A, mirëpo mund të bjerë në pozitën e shtatë varësisht nga rezultati i Napolit.

    Në anën tjetër, Lazio e mban edhe më tutje pozitën e dytë, me shtatë pikë më pak se Juventusi, ndërsa me katër më shumë se Interi, që megjithatë s’e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj xhiroje. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!