Ministri serb dhe ish-zëvendëspresidenti i klubit të Partizanit nga Beogradi, Branko Ruzic, e ka nderuar legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrrin, duke bërë homazhe te varri i tij në Prishtinë, në njëvjetorin e vdekjes.
Branko Ruzic, tani ministër i Administratës Shtetërore dhe Qeverisjes Lokale në Serbi, bëri homazhe te varri i Fadil Vokrrit në Prishtinë, në njëvjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ai ka thënë se asnjëherë nuk e kanë shikuar përkatësinë nacionale sa ishte Vokrri te Partizani, dhe ka kërkuar që “gjeneratat e reja duhet ta shikojnë Vokrrin si një figurë e madhe e jo përkatësinë e tij”.
“Fadil Vokrri ka qenë legjendë si person dhe asnjëherë nuk e kemi shikuar përkatësinë nacionale te Partizani. Kam ardhur këtë vit për të vendosur kurorë, sepse kemi respekt për të dhe familjen e tij. Vokrri ka qenë futbollist i shkëlqyer. Për Partizanin ka shënuar shumë gola të rëndësishëm. Ka dhënë kontribut edhe për Jugosllavinë. Të gjithë e kujtojmë se ka qenë i vendosur dhe për një figurë kaq të madhe duhet të kemi respekt duke e nderuar familjen e tij. Gjeneratat e reja duhet ta shikojnë Vokrrin si një figurë e madhe e jo përkatësinë e tij”, tha ai.
Në këtë ditë një vjet më parë, vendi e humbi njeriun më të rëndësishëm në historinë e sportit, atë që e krijoi Kombëtaren dardane dhe i bindi dy shtëpitë qeverisëse të futbollit botëror dhe evropian, FIFA-n dhe UEFA-n, ta pranojnë Kosovën në foletë e veta.
Gjatë karrierës së tij të bujshme si futbollist, Vokrri ka luajtur edhe për Partizanin e Beogradit, klubit zëvendëspresident i të cilit deri në vitin 2003 ishte Ruzic. Gjatë tre vjetëve në fanellën e Partizanit nga 1986 deri më 1989, Vokrri i regjistroi 107 paraqitje, 47 gola dhe ishte ndër më meritorët që klubi e fitoi titullin dhe kupën.