×
  • Sport
  • Sport
    INSTANT

    Mungesa e Ronaldos në varrimin e Jotas shkakton reagime të ashpra në Portugali

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 14:43

    Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë, Cristiano Ronaldo, nuk mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-bashkëlojtarit të tij Diogo Jota dhe vëllait të tij Andre Silva, të cilët u varrosën sot (e shtunë) në Gondomar, Portugali.

    Ronaldo, lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Portugalisë, pritej të udhëtonte për në Gondomar për të nderuar një bashkëlojtar me të cilin kishte ndarë fushën e gjelbër për vite me radhë. Por, ai mungoi si në homazhet e një dite më parë, ashtu edhe në ceremoninë e varrimit, ndonëse aty ishin të pranishëm shumë futbollistë të Kombëtares portugeze dhe të klubeve ku kishte luajtur Jota.

    Sipas mediave lokale në Spanjë, Ronaldo ndodhet aktualisht me pushime në Palma de Mallorca, ku është parë në dy destinacione luksoze.

    Mungesa e tij ka shkaktuar reagime të ashpra nga gazetarë dhe analistë sportivë në Portugali. Antonio Ribeiro, gjatë meshës mortore, u shpreh i zhgënjyer me mungesën e kapitenit.

    “Është kapiteni i Kombëtares. Të gjithë e prisnim të ishte aty. Ndoshta ka ndonjë arsye që nuk e dimë, por nëse nuk erdhi, duhet të japë një shpjegim. Ka përgjegjësi, është kapiten”, ka thënë ai.

    Më i ashpër në reagim ishte komentatori sportiv Luis Cristovao, i cili e quajti të pashpjegueshme mungesën e Ronaldos.

    “Përderisa është e pashpjegueshme, çdo arsyetim nuk do të jetë i mjaftueshëm për atë që ka munguar”, u shpreh ai.

    Ndërsa analisti Pedro Fatela paralajmëroi se kjo çështje do të jetë temë diskutimi për ditë të tëra.

    “Kjo mungesë do të diskutohet për ditë të tëra. Do ta kuptojmë pse nuk mundi të udhëtonte për në Gondomar, por ai është kapiten. Të gjithë e prisnim të paraqitej”, përfundoi ai.

    Jota dhe vëllai i tij u varrosen në Porto, familja dhe shokët e tyre i përcollën për në prehjen e përjetshme

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 14:48

    Futbollistët portugezë Diogo Jota dhe Andre Silva u varrosën sot në Porto, ku u përcollën për në prehjen e përjetshme nga familja dhe shokët e ekipit.

    Funerali i futbollistit u mbajt në Gondomar, një vend 7 kilometra larg qendrës së Portos, dhe pothuajse të gjithë futbollistët e Liverpoolit, disa lojtarë të kombëtares portugeze, si dhe disa ish-lojtarë të Liverpoolit erdhën për t’i dhënë lamtumirën ish-shokut të tyre të skuadrës.

    Në funeralin e Jotës dhe Silvës morën pjesë lojtarët aktualë dhe ish-lojtarët e Liverpoolit, lojtarë të kombëtares portugeze, trajneri i Liverpoolit, e shumë të tjerë.

    Ceremonitë filluan në Capela da Resurreição dhe, pas një periudhe të shkurtër, procesioni i varrimit u drejtua për në Igreja Matriz de Gondomar, me miqtë dhe familjarët e dy lojtarëve që ndihmuan në transportimin e arkivoleve.

    Mesha u zhvillua atje, e cila u dëgjua edhe nga njerëzit që ishin të pranishëm jashtë kishës, pasi ishin vendosur disa altoparlantë në mënyrë që të gjithë të dinin se çfarë po ndodhte brenda.

    Pas përfundimit të ceremonisë mortore dhe meshës, arkivolet shkuan drejt varrezave në afërsi të kishës dhe në prani të familjarëve dhe miqve të ngushtë ata u varrosen.

     

    Gruaja pas arkivolit të Diogo Jotas – Nëna, babai e gjyshi zemërthyer

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 13:04

    Diogo Jota dhe vëllai i tij u përcollën në banesën e fundit, pranë kishës në qytetin e Gondomarit

    Dy vëllezërit, Diogo Jota dhe André Silva, po përcillen në banesën e fundit në varrezat pranë kishës në qytetin e tyre të lindjes, Gondomar – vetëm pak metra larg nga vendi ku u mbajt ceremonia mortore.

    Procesioni funeral ka nisur drejt varrezave, ndërsa të afërm dhe miq shoqërojnë arkivolet e dy të ndjerëve në heshtje e dhimbje të thellë.

    Turma e madhe e të pranishmëve – familjarë, miq, të dashur – ecën ngadalë, duke u mbështetur tek njëri-tjetri për forcë. Tifozët dhe qytetarët e mbledhur jashtë i shoqërojnë me duartrokitje të ndjera, si një akt nderimi për jetën dhe trashëgiminë që lanë pas Diogo dhe André.

    Gruaja e Jotas u pa pas arkivolit të Diogos.

    Derisa nëna, babai e gjyshi i Diogo Jotës e Andre Silvas u panë zemërthyer.

    Ky është kulmi i një dite të mbushur me emocione të forta, ku sporti, familja dhe dashuria për të ndjerët janë bashkuar në një moment të përbashkët trishtimi e nderimi.

    Përfundon ceremonia mortore e Jotas dhe vëllait të tij, arkivolet e tyre nisen drejt varrezave

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 12:52

    Diogo Jota dhe Andre Silva, po përcillen në banesën e fundit në varrezat pranë kishës në qytetin e tyre të lindjes, Gondomar – vetëm pak metra larg nga vendi ku u mbajt ceremonia mortore në kishën Igreja de Matriz.

    Mesha në “Kishën e Famullisë” në Gondomar ka përfunduar tashmë dhe arkivolet e Diogo Jotës dhe vëllait të tij, Andre Silva, po nxirren tashmë.

    Familja dhe miqtë e dy lojtarëve, të cilët ishin brenda, po largohen nga vendi dukshëm të emocionuar.

    Sipas gazetës portugeze Record, procesioni funeral është nisur drejt varrezave, ndërsa të afërm dhe miq shoqërojnë arkivolet e dy të ndjerëve në heshtje e dhimbje të thellë.

    Tingujt e këngës “Ave Maria” po dëgjohen nga altoparlantët e kishës, duke u përzier me zërin e kambanës që bie sërish – një kujtesë e qetë e përjetësisë që vjen pas jetës.

    Homazhet në varreza thuhet se janë të rezervuara për familjen dhe miqtë.

    Momenti kur futbollistët e Liverpulit arrijnë në funeralin e Diogo Jotas

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 10:57

    Futbollistët e Livepulit kanë udhëtuar drejt Portugalisë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Diogo Jotas dhe vëllaut të tij Andre Silva, të cilët vdiqën pas një aksidenti me makinë, gjatë ditës së enjte në Spanjë.

    Lojtarët dhe stafi i Liverpoolit, i udhëhequr nga Virgil van Dijk dhe Andy Robertson, kanë mbërritur për funeralin e Diogo Jota dhe Andre Silva në Portugali të shtunën në mëngjes.

    Tribunat me lule kanë numrin 20 dhe numrin 30, numrat përkatës të skuadrës së dy vëllezërve.

    Krahas tyre janë edhe ish-lojtarët Jordan Henderson, James Milner, Caoimhin Kelleher, Thiago dhe Fabinho.

    Të pranishëm janë edhe anëtarët e kombëtares së Portugalisë dhe menaxheri i tyre, Roberto Martinez.

    Pamje nga funerali i Diogo Jotas dhe vëllaut të tij, Andre

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 10:01

    Janë publikuar pamje tashmë nga funerali i Diogo Jotas dhe vëllaut të tij Andre.

    Dhe gjatë ditës së sotme do të mbahet funerali i tyre në qytetin e tyre të lindjes, në Gondomar ku njerëz të shumtë janë të pranishëm.

    Ceremonia e varrimit të Jotas do të mbahet në kishën e Igreja Martiz në Gondomar.

    E gjithë bota e futbollit është e tronditur nga vdekja e futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota.

    Ai vdiq të enjten së bashku me vëllaun e tij, Andre Silva teksa po udhëtonin drejt Anglisë me veturën e tij.

    Aksidenti ndodhi në zonën e Zamoras në Spanjë, jo larg kufirit me Portugalinë.

     

    Zbulohen detajet e funeralit të Diogo Jotas dhe vëllait të tij pas vdekjes tragjike

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 9:25

    Detajet e funeralit të Diogo Jotas janë zbuluar pas vdekjes tragjike të sulmuesit të Liverpoolit dhe vëllait të tij, Andre Silva, në një aksident rrugor në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

    Sipas mediumit britanik Metro, funeralet e Jotës dhe vëllait të tij, Andre Silva, do të mbahen në Sao Cosme, gjysmë ore larg me makinë nga qyteti verior portugez i Portos, në orën 10:00 të së shtunës.

    Të enjten pasdite, makinat mortore u panë duke u afruar drejt një shtëpie funerale në Puebla de Sanabria, qyteti në Spanjën veriperëndimore ku u dërguan trupat e Diogos dhe Andres.

    Që kur u përhap lajmi zemërthyes, bota e futbollit dhe komuniteti më i gjerë janë bashkuar në nderim të futbollistëve të dashur.

     

    Liverpooli bën veprimin e paimagjinueshëm për familjen e Diogo Jotas

    Reporteri
    04 Korrik 2025 | 22:28

    Pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit portugez Diogo Jota, Liverpooli ka njoftuar zyrtarisht se do të ofrojë mbështetje të plotë për familjen e tij.

    Në një veprim solidar dhe fisnik, klubi ka vendosur të transferojë mbi 15 milionë euro në llogaritë e fëmijëve të Jotës, si pjesë e përkujdesjes për të ardhmen e tyre.

    Për më tepër, Liverpooli ka konfirmuar se do të respektojë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj lojtarit të ndjerë, duke vijuar pagesat e kontratës deri në vitin 2027, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e fundit me sulmuesin.

    Ky gjest është pritur me emocione nga komuniteti sportiv dhe tifozët në mbarë botën, duke e përshkruar si një akt të jashtëzakonshëm respekti për një futbollist që dha gjithçka për klubin dhe që la gjurmë të pashlyeshme në “Anfield”.

    Liverpooli, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se do të qëndrojë pranë familjes së Jotës në çdo hap, duke ofruar mbështetje financiare, emocionale dhe ligjore, si pjesë e vlerave që klubi promovon në raport me lojtarët dhe familjet e tyre.

    Po ashtu, klubi anglez ka pensionuar numrin 20 në fanellë, numër ky që bartej nga Diogo Jota.

    Zemërthyer, shokët e kombëtares s’mund t’i ndalin lotët për Diogo Jotën

    Reporteri
    04 Korrik 2025 | 22:21

    Më 3 korrik 2025, bota e futbollit u trondit nga lajmi tragjik i vdekjes së futbollistit të njohur të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe të vëllait të tij, Andre Silva, pas një aksidenti automobilistik në veri-perëndim të Spanjës.Në kujtim të tyre, një minutë heshtje u mbajt gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës së Klubeve. 

    Shokët e ekipit kombëtar të Jotas, Joao Cancelo dhe Reben Neves, u panë të përlotur, ndërsa ndeshja mes Al Hilal dhe Fluminenses ishte në prag të nisjes.

    Cancelo dhe Neves nuk arritën të përmbahen. Lotët rridhnin në fytyrat e tyre, teksa qëndronin krah për krah në fushë, duke kujtuar mikun që nuk do të rikthehej më në fushë me ta.


    Homazhe janë mbajtur  edhe në Anfield, duke reflektuar dashurinë dhe respektin e madh që Jota gëzonte në mesin e tifozëve dhe kolegëve.

    Bota e futbollit mbetet e tronditur, duke i dhënë lamtumirën një ylli të ndritur dhe një talenti të ri.

    Sipas raportimeve të Gardës Civile Spanjolle, automjeti në të cilin ndodheshin të dy vëllezërit doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një gome gjatë një manovre për të kaluar një tjetër automjet, duke u përfshirë më pas nga zjarri.

    Diogo Jota, 28 vjeç, i cili luajti 123 ndeshje në Ligën Premier me Liverpoolin që nga transferimi i tij nga Wolverhampton në 2020, njihej për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në fushë dhe personalitetin e tij karizmatik.

    Ai sapo kishte festuar martesën e tij, vetëm dy javë më parë, duke e bërë këtë humbje edhe më të rëndë për familjen dhe miqtë e tij. Andre Silva, futbollist profesionist me Penafielin në divizionin e dytë portugez, gjithashtu la pas një trashëgimi të shkurtër por premtuese.

    Mourinho: Jota ishte vërtetë njeri i mirë, nuk e donte vëmendjen

    Reporteri
    04 Korrik 2025 | 22:11

    Trajneri portugez, Jose Mourinho, ka folur me vlerësim të madh për Diogo Jota-n, i cili humbi jetën pas një aksidenti tragjik në Spanjë.

    “Special One” u shpreh se gjithë flasin mirë për një person kur ndërron jetë, por Jota ishte vërtetë i tillë dhe nuk e donte vëmendjen.

    “Kur dikush largohet të gjithë themi se ishte një njeri i mirë. Megjithatë Diogo Jota ishte vërtetë një njeri shumë i mirë. Ishte një lojtar i shkëlqyer, që nuk e donte vëmendjen. Një ditë ndoshta do e kuptojmë pse ndodhin këto gjëra, por tani nuk ka asnjë shpjegim”, u shpreh ai.

    Mourinho foli edhe për Interin e trajnerin e ri të zikaltërve, Cristian Chivu. Luzitani i uroi suksese, por theksoi se shpreson të mos e fitojë tripletën.

    “Chivu? Ai është një nga fëmijët e mi. Ka mësuar nga përvoja ime. Tani është ndryshe. Është ndryshe të jesh lojtar i shkëlqyer dhe ndryshe trajner i tillë. Të shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. E vetmja që dua është që të mos e fitojë tripletën. Ai mund të fitojë titullin, Kupën ose Ligën e Kampioneve, por jo të gjitha në një sezon”, deklaroi Mourinho.

    Goma nuk ishte shkaku i aksidentit fatal të Diogo Jotas, dalin detaje të reja

    Reporteri
    04 Korrik 2025 | 20:00

    Futbolli botëror vazhdon të jetë në zi pas lajmit tragjik për vdekjen e sulmuesit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij më të vogël, Andre Silva, në një aksident automobilistik në veri të Spanjës.

    Sipas autoriteteve spanjolle, aksidenti ndodhi rreth orës 00:30 të mëngjesit, në autostradën A-52 pranë Cernadillas, në provincën Zamora.

    Dy vëllezërit po udhëtonin me një Lamborghini Huracán drejt Santander-it, nga ku planifikonin të udhëtonin me traget për në Mbretërinë e Bashkuar.

    Jota, 28 vjeç, kishte zgjedhur rrugën tokësore pas një operacioni në mushkëri, pasi mjekët i kishin rekomanduar të shmangte fluturimet.

    Hetimet paraprake të Guardia Civile tregojnë se automjeti humbi kontrollin pas një shpërthimi të gomës gjatë një manovre parakalimi.

    Pas përplasjes, makina u përfshi nga flakët dhe të dy pasagjerët humbën jetën në vendngjarje. Pamjet e rënda nga vendi i ngjarjes treguan përmasat shkatërruese të aksidentit.

    Një aspekt që po hetohet nga afër është teknologjia e sigurisë e përdorur në modelin Lamborghini Huracan, në veçanti sistemi piroteknik që aktivizon hapjen e dyerve në rast përmbysjeje.

    Ky mekanizëm – që përfshin bulona eksplozivë për të lehtësuar daljen e pasagjerëve – konsiderohet inovativ, por edhe potencialisht i rrezikshëm në raste përplasjesh të forta.

    Ende nuk është konfirmuar nëse ky sistem u aktivizua apo dështoi në momentin kritik.

    Ekspertët e hetimit po analizojnë rrënojat, mbetjet e gomave dhe të dhënat e gomave rrëshqitëse në rrugë, për të përcaktuar shpejtësinë e makinës dhe kushtet teknike në momentin e aksidentit.

    Gjithashtu janë përmendur edhe njoftime të mëparshme për tërheqje që kanë prekur automjete të markës Lamborghini, përfshirë çështje me kllapat e dritave dhe mekanizmat e dyerve – megjithëse nuk ka ende prova që ato të jenë të lidhura me këtë rast.

    Ky incident ka rikthyer vëmendjen mbi standardet e sigurisë në supermakinat moderne, ku balancimi i performancës ekstreme me garancitë për jetë shpesh paraqet sfida të mëdha inxhinierike.

    Nëse zbulohet se ndonjë defekt në dizajnin e mjetit ka ndikuar në tragjedinë e dy vëllezërve, nuk përjashtohet mundësia që autoritetet evropiane të rishikojnë protokollet aktuale të testimeve për automjetet luksoze.

    Ndërkohë, familja dhe miqtë e Diogo Jotas dhe Andre Silvës po kalojnë momente të vështira, ndërsa bota e futbollit u bashkua në homazhe për jetët e humbura. Raporti zyrtar i hetimit pritet të publikohet në ditët në vijim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!