Familja e tenistit serb, Novak Gjokoviq, u është adresuar mediave ndërkohë që teniseri aktualisht ndodhet në një hotel për migrantë në Melburn të Australisë.
Babai i kampionit serb, Srgjan Gjokoviq u ka bërë thirrje qytetarëve të Serbisë që në orën 15:00 të protestojnë para Kuvendit në mbështetje djalit të tij.
Ndërkohë, vëllai i tij, Gjorgje,ka thënë se atij i janë konfiskuar gjërat me vlerë, shkruajnë mediat serbe, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Atij i janë konfiskuar të gjitha gjërat me vlerë, portofoli dhe gjërat e tjera”, u shpreh ai para mediave.
Gjokoviq tha se ndalimi i tij nuk ka lidhje me sport, por se bëhet fjalë për një luftë politike.
“Ai po mbahet rob. Po e nëpërkëmbin Novakun, pra po e nëpërkëmbin edhe Serbinë edhe popullin serb. Njeriu i parë i Australisë, Scott Morrison, guxoi të sulmonte Novakun dhe ta dëbonte, por ai nuk hyri as në vendin e tyre. Dëshiruan ta gjunjëzojnë dhe jo vetëm atë por edhe Serbinë tonë. Ne jemi një popull krenar, i qytetëruar, gjithmonë jemi mbrojtur, nuk kemi sulmuar kurrë. Këtë po bën tani krenaria jonë dhe krenaria e botës liridashëse – Novak. Ai tregon se nga cili vend vjen. Kjo nuk ka lidhje me sportin, kjo është një luftë politike. Ai i plotësoi të gjitha kushtet për të hyrë dhe për të fituar një tjetër Australian Open. Dhe ai do ta fitonte”, u shpreh tutje vëllai i tij.
Por, shpresat e Gjokoviq për të mbrojtur titullin e tij në Australian Open nuk janë shuar tërësisht, pasi apeli i tij kundër dëbimit nga Australia u shty për të hënën.
Deri në marrjen e vendimit, Gjokoviq është akomoduar në hotelin “Royal Park”, i cili përndryshe është i destinuar për emigrantët. /Reporteri.net