Autor: Linda Krasniqi
“Ndihem e lumtur, e plotësuar dhe mirënjohëse që arrita këtë qëllim përfundimtar për të qenë gruaja zyrtare Ironman e Kosovës“.
Ironman është gara e cila mbahet me aktivitete të ndryshme sportive në Frankfurt të Gjermanisë. Një ndër to është edhe gara me biçikleta, ku sportistja nga Kosova, Rita Zeqiri, mori pjesë si garuese dhe që ia arriti qëllimit duke u shpallur IronLady.
Ajo është pjesë e sportit tash e 17-të vite, dikur notare aktive, tash çikliste.
“Me të vërtetë ka rrallë njerëz që kyçen direkt në garën Ironman, zakonisht janë ish-sportistë të njërës prej disiplinave të notit, çiklizmit, vrapit, e ku pas karrierës së tyre kyçen në këtë aktivitet”, tha ajo në bisedën me Gazetën Online Reporteri.net.
Ka 5 vite që ajo është shkyçur nga noti aktiv në gara dhe gradualisht për ta mbajtur vetën në formë dhe me qëllime sportive ajo ka vazhduar me sportin e triathlonit, së pari në arenën vendore dhe me distanca të shkurta.
“Natyrshëm më tërheqin aktivitetet ekstreme dhe jo të zakonshme , dhe kur kam dëgjuar për herë të parë për Ironman, në vitin 2018, e kam dashur fuqishëm një sfidë të tillë për ta kaluar, për vetë faktin që të jesh Ironman, me shumë është titull se sa një garë sportive që garon për vendin e parë e të dytë. Para këtij Ironmanit, i kam bërë edhe 2x Ironman 70.3 (është gjysma e distancës së full Ironman) dhe të cilat më kanë ndihmuar shumë për këtë sfidë”, tha ajo.
Ka qenë edhe zyrtarisht gruaja e parë që e ka përfunduar një gjysmë gare Ironman, në Marsej të Francës 2019.
“Me të vërtetë ky nuk ka qenë qëllimi real apo final, por ka rastisur kështu që nga bota shqiptare të jem përfaqësuesja e parë femër. Por megjithatë, e rëndësishme është që interesimi për të përfunduar këtë garë po rritet në Kosove e në Shqipëri”, tha ajo.
Gjatë garës Rites i kishte ndodhur një problem teknik me gomën e pasme, ku i është dashur të ndalej dhe të vazhdoj më ngadalë, dhe një pjesë edhe duke ecur në këmbë deri tek vendi ku ofrojnë shërbime servisimi për biçikleta.
“Ky është skenari më i keq që mund t’i ndodh një garuesi, ja edhe mua më ndodhi . Realisht pas këtij momenti, për një kohë relativisht të gjatë nuk kam mundur ta marr vetën dhe ta rikthej vetën në garë, sepse diku rreth 50min kam humbur, deri sa kam ristartuar”, rrëfeu Zeqiri në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net.
Sa i përket eksperiencës së saj, ajo thotë se nuk ka qenë ashtu si e ka menduar në fillim. ”Kam menduar që ka me qenë një tejkalim më i lehtë i kësaj sfide. Moti ka qenë vazhdueshëm me shi dhe frymë, por në përgjithësi të gjitha krizat mentale dhe fizike, që i kam pasur gjatë këtij rrugëtimi, kam arritur t’i menaxhoj mirë”, tha Zeqiri.
Raporti i saj me garuesit e tjerë ka qenë asgjë më pak sesa respekt, sepse secili prej tyre përkundër sfidave që i kanë luftuar, kanë qenë të fokusuar në përfundimin e garës dhe qëllimet e tyre.
Duke thënë se sa i përket garës së Ironman, çdokush mund të bëhet pjesëmarrës, vetëm se është diçka që kërkon përgatitje të gjatë dhe të mundimshme.
Sportistja nga Kosova thotë se çdo ëndërr dhe synim, në përgjithësi që e kemi, kërkon investim jo vetëm financiar, por investim në kohë, në resurse, në lënien anash të shumë gjërave tjera, familjes, shoqërisë, punës etj. Dhe së sa i përket mbështetjes ajo thotë se, mbështetjen më të madhe e ka pasur nga familja, dhe se për të është e mjaftueshme.
Në fund ajo u shpreh me këto fjalë: “Mesazhi që gjithmonë kam dashur me e përqu përmes aktiviteteve të mija është që të bëhen pjesë e objektivave, që të shkaktojnë pak frikë“.
“Sepse kur t’i kaloni, ju bëheni person tjetër. Më i fortë, më i mirë, e më i gatshëm për të kaluar sfiden tjetër më lehtë. Me anë të sfidave të tilla, ju e kuptoni jetën më mirë. I jepni përmbajtje dhe kuptim. E me anë të saj e shpërndani këtë përvojë, me çdo sferë të jetës“.