×
  • Sport
  • Intervista

    Një ditë para se ta marrë zyrtarisht postin, flet kryetari i ri i KOK-ut: Koha për ndryshime, fitorja ime është e të gjithë sportistëve

    Autor:Mirlind Behluli 
    30 Mars 2021 | 16:55

    Javën e kaluar, Ismet Krasniqi, u zgjodh kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës duke i dhënë fund udhëheqjes 25 vjeçare të Besim Hasanit, i cili ishte në krye të KOK-ut që nga viti 1996. Krasniqi, që ishte i nominuar i Federatës së Karatesë, mori 53 vota nga gjithsej 105 delegatë të Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut.

    Kundërkadidatët e tij, Besim Hasani e Linda Shala morën nga 41 vota dhe 11 vota respektivisht, në garën për të parin e këtij institucioni të rëndësishëm të sportit kosovar.

    E për besimin e marrë nga delegatët e federatat e shumta, Krasniqi i ka falënderuar edhe në këtë intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    Në intervistën e parë pas zgjedhjes në krye të KOK-ut, Ismet Krasniqi ka folur rreth Asamblesë Zgjedhore, planeve e punës që pritet ta bëj në këtë institucion. Ka treguar edhe për marrëdhëniet me ish-kryetarin Hasani e nëse do të ketë vend të KOK edhe për njeriun që e udhëhoqi këtë institucion për çerek shekulli.

    Ai, në intervistën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ ka treguar se të mërkurën do ta merr zyrtarisht postin e kryetarit të KOK-ut dhe se menjëherë të etjen do ta drejtojë mbledhjen e parë konstituive të Bordit Ekzekutiv ku pritet të zgjidhen Komisionet e KOK-ut.

    Me fitoren e tij, ish-karateisti, deklaroi se ka fituar sporti kosovar pasi beson se është koha për të bërë ndryshime në udhëheqjen e KOK-ut. Prandaj, Krasniqi ka në plan të hartojë një Statut të ri të KOK-ut duke eliminuar të gjitha paqartësitë rreth organizimit të federatave të sportit, për të cilat pati kritika të shumta edhe në Asamblenë Zgjedhore të mbajtur të enjten e kaluar.

    I pyetur për marrëdhëniet e tij me ish-kryetarin Hasani, i pari i sportit kosovar ka thënë se ai çdo herë ka patur relacione të mira, por që është koha e duhur për ndryshime.

    Lexojeni të plotë intervistën me Kryetarin e ri të Komitet Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

    Reporteri.net: Z. Krasniqi, ju së fundmi jeni zgjedhur kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës duke i dhënë fund ‘sundimit’ të Besim Hasanit, i cili që nga viti 1995 udhëhoqi KOK-un. Si arritët ta mposhtni z.Hasanin në këtë garë që dukej gati vetëm formale?

    Ismet Krasniqi: Bashkë me ekipin tim e kemi parë të nevojshme se është koha të bëhen ndryshime në udhëheqjen e Komitetit Olimpik të Kosovës. Kemi pasur mbështetjen e madhe edhe të federatave sportive, të cilat e kanë përkrahur planprogramin tim për ta drejtuar KOK-un. Prandaj, shfrytëzoj rastin t’i falënderojë sërish të gjithë ata që kanë besuar në mua. Tani e tuje, mua më mbetet t’ua shpaguaj besimin e dhënë dhe unë do të jem president i barabartë jo vetëm i atyre që më kanë votuar, por i të gjitha federatave sportive në Kosovë.

    Reporteri.net: Çfarë do të thotë kjo fitore për ju dhe për sportin në Kosovë?

    Krasniqi: Ashtu siç e kam thënë edhe në Asamble në fjalën falënderuese, me zgjedhjen time president më së shumti ka fituar sporti i Kosovës. Unë do të jem humbësi më i madh sepse unë do të sakrifikojë për sportin dhe sportistët e Kosovës, të cilët me zgjedhjen time do të jenë fituesi më i madh.

    Në Asamblenë e fundit të KOK-ut janë votuar edhe nënpresidentët e këtij institucioni të sportit. Duket se ka një freskim edhe në përbërjen e nënpresidentëve. Si e shihni përbërjen e re të atyre që do të jenë bashkëpunëtorët tuaj kryesor gjatë udhëheqjes së KOK-ut në katër vitet e ardhshme?

    Krasniqi: Jo vetëm katër nënpresidentët e zgjedhur, por i tërë Bordi Ekzekutiv i zgjedhur do të jenë bashkëpunëtorë të mijë. Unë do të bashkëpunojë me të gjithë për të avancuar përpara sportin. Të katër nënpresidentët e zgjedhur kanë përvojën e duhur, madje shumica e tyre edhe më parë kanë qenë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës, siç janë edhe shumë anëtarë të Bordit Ekzekutiv. Pra, do të bashkëpunojë si me ta, si me të gjitha federatat sportive, me të cilat do të kem takime për të diskutuar bashkërisht hallet dhe sfidat e tyre dhe bashkërisht të gjejmë format e bashkëpunimit.

    Me siguri ju keni edhe plan rreth punëve që dëshironi t’i realizoni gjatë udhëheqjes suaj të KOK-ut. A mund t’i ndani me lexuesit tanë disa nga planet dhe projektet që ju i mendoni t’i realizoni gjatë këtij mandati?

    Planprogramin tim e kam shfaqur edhe në Asamblenë Zgjedhore edhe tek mediat. Ne kemi shumë punë për të bërë fillimisht për Lojërat Olimpike Tokio 2020, ku do të nisim menjëherë punët. Shpresojmë se do të kemi medalje. Do të ulemi me Bordin do të punojmë me Planin Strategjik, do të punojmë me të gjitha federatat sportive. E kam thënë se kur federatat do të jenë të forta, edhe Komiteti Olimpik do të jetë i fortë, pa federata të forta nuk mund të kemi as Komitet Olimpik të fortë. Kemi shumë punë për të bërë, KOK do të ketë një nivel tjetër, paraqitje tjetër. Jo që nuk është punuar më parë, por është punuar, edhe ish-kryetari Besim Hasani ka punuar, por ne do të bëjmë punë tjetër në grupe me administratë, por natyrisht do të fokusohemi edhe në njohjen e shteteve, duke e përdorur sportin si mjetin më të mirë diplomatik.

    Ismet Krasniqi, kryetar i ri i KOK dhe Besim Hasani, ish-kryetar i KOK

    Në të kaluarën kishte shumë kritika rreth pranimit të federatave nga ana e KOK-ut. Madje kritikët e punës së ish-kryetarit Hasani, disa prej federatave të pranuara nga KOK-u i kanë cilësuar si fiktive. Po ashtu, kishte reagime edhe rreth federatave që nuk kanë licenca përkatëse për të zhvilluar veprimtari nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilat shqetësime u ngritën edhe në Asamblenë e fundit të KOK-ut. A keni ndonjë plan për t’i adresuar këto problematika me të cilat përballet sporti kosovar?

    Është e vërtetë që ka pasur kritika dhe këto u shfaqen edhe në Asamblenë e Punës dhe Asamblenë Zgjedhore. Gjatë mandatit tim, bashkërisht me Ministrinë për Kulturë Rini e Sport do të mundohemi që njëherë e mirë të sqarojmë këtë çështje dhe të mos vijmë më në situata të tilla. Besoj se këtë do ta sqarojmë edhe me hartimin e statutit të ri.

    A keni filluar punën zyrtarisht?

    Jo, ende nuk kam filluar. Nesër do ta marrë edhe zyrtarisht detyrën.

    Kur do të funksionalizohen Komisionet e Përhershme të KOK-ut?

    Besoj që shumë shpejtë. Menjëherë të enjten e kemi mbledhjen e parë konstituive të Bordit Ekzekutiv, ku njëra ndër pikat e shumta të Rendit të Ditës janë edhe zgjedhja e Komisioneve të KOK-ut.

    Cila është marrëdhënia e juaj me ish-kryetarin e KOK-ut, Besim Hasani? A do të jetë ai pjesë e KOK-ut gjatë mandatit tuaj? A ka vend në KOK për të?

    Unë çdo herë kam pasur marrëdhënie të mira me ish-kryetarin Hasani, prandaj e vlerësoj punën e tij që ka bërë me KOK-un, por e kam thënë edhe më herët se ka qenë koha e duhur të bëhen ndryshime. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!