Kuvendi Komunal në Prishtinë është duke zhvilluar sot mbledhjen e radhës.
Derisa asamblistët e grupeve përfaqësuese në Kuvendin Komunal të Prishtinës ishin duke u deklaruar lidhur me vendimin për subvencionin e disa klubeve sportive në Prishtinë, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ermal Osmani, pati një kritikë drejtuar kryetarit, Përparim Rama.
Osmani kritikoi Ramën për festën që pati me ekipin e vajzave nga ekipi i Dritës së Gjilanit.
Ai theksoi gjithashtu se Kuvendi është duke subvencionuar ekipet e Prishtinës për t’i mposhtur ato nga komunat e tjera.
“Fjalën e mora që t’ia tërheq vërejtjen kryetarit që të mos festojë me ekipet e qyteteve të tjera, sepse sot po ndahen subvencione për ekipet e Prishtinës, për mos me i mundë qato ekipe qe ju po festoni me ta. Nuk jam për me i urrejtë, por jam kundër me dalë në fotografi në qaste festive sidomos me dalë i shtrirë në parket thu ti je kapiten i atij ekipi”, tha asamblisti Osmani.
E pas kësaj është përgjigjur edhe vetë Rama, i cili tha se klubi i volejbollit “Drita”, që u zgjodh edhe kampion, nuk ishte duke luajtur kundër Prishtinës.
Ai u arsyetua se i ka dajtë në Gjilan, duke e lidhur me festën.
“Siç e dini unë jam kryetari i kryeqytetit të Kosovës edhe ata janë pjesë e jona. Nuk kanë luajtur kundër Prishtinës. Edhe i kam dajtë prej Gilanit, s’bonë më jau prish dajve. Me Prishtinën në zemër e gjithmonë”, tha Rama.
Ndryshe sot Kuvendi Komunal në kryeqytet mori vendim për subvencionimin e klubeve të basketbollit, hendbollit dhe volejbollit në Prishtinë.