×
  • Sport
  • Sport

    Pirlo: Më bukur të fitosh si trajner sesa si futbollist

    Reporteri
    21 Janar 2021 | 10:47

    Andrea Pirlo i gëzohet trofeut të tij të parë si trajner.


    Pas triumfit në Superkupën e Italisë, trajneri i bardhezinjëve foli me superlativa për skuadrën e tij, duke nënvizuar se është më bukur të fitosh si trajner sesa si futbollist.

    “Ndjej gëzim të madh, ngritja e trofeut tim të parë si trajner është ndryshe, mendoj edhe më mirë sesa si lojtar, sepse po drejtoj një skuadër kaq të mrekullueshme dhe në një klub historik. Është e mrekullueshme. Është e rrallë që dy skuadra luajnë mirë në një finale, gjëja e rëndësishme është të fitosh. Kur luan me këtë vendosmëri, atëherë fati mund të shkojë në anën tënde. Ne donim të provonim se nuk jemi skuadra e javës së shkuar kundër Interit, kështu që kur luan me këtë grintë, vendosmëri dhe qëndrim, fati vjen në rrugën tënde”.

    “Ne jemi dy trajnerë në dy stola të rëndësishëm, është një lloj pune tjetër tani. Më vjen keq për Rinon, por jam i lumtur për veten. Ishim shumë të përqendruar dhe nuk e kishim mundësinë e shakave me njëri-tjetrin sonte”.

    “Rikthimi i Cuadrado? Për fat të mirë, ai ishte asimptomatik në këto 15 ditë. Prandaj ai ishte në gjendje të stërvitej në shtëpi, e bëri atë shumë mirë, nuk menduam se ai do të rezistonte 90 minuta, por padyshim që ai bëri një punë të shkëlqyer. Arthur luajti kur ishte në gjendje të mirë, por ai arriti pa luajtur për disa muaj në Barcelona, ​​kështu që i duhej një kohë për të arritur në ritmin e duhur. Më pas u dëmtua dhe sot e provoi veten. Nuk luajti plotësisht në qendër sot sepse duhej t’i jepte hapësira Bentancur për të ndërtuar aksionet nga mesfusha”.

    “Që nga fillimi i sezonit ne jemi përpjekur të luajmë këtë stil të rrjedhshëm të futbollit, por fatkeqësisht çdo javë na mungon nga një lojtar, kështu që është e vështirë për ne të mbajmë të njëjtin formacion.Pas ndeshjes me Interin, ne nuk i merituam aq shumë kritika duke marrë parasysh gjithçka që kemi bërë këtë sezon. Kështu që jam i kënaqur që fituam këtë trofe sonte. Është pjesë e lojës, është e lehtë të lartësosh njerëz dhe t’i rrëzosh ato. Sidoqoftë jam mësuar sepse pata ulje dhe ngritje në një karrierë shumë të gjatë si lojtar. E di që ka një klub të fortë pas meje, kështu që unë mund të përqendrohem dhe të vazhdoj të bëj punën time”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!