×
  • Sport
  • Sport

    Prapaskenat e ndeshjes Kosovë – Gjibraltar: Zënkat e futbollistëve tanë, tribuna VIP e mbushur me yje dhe tre Florenta në fushë

    Reporteri
    11 Tetor 2019 | 10:11

    Kosova ka fituar me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit.

    Dardanët morën një triumf në një ndeshje ku nuk shkëlqyen, por pati gjëra shumë interesante që nuk u panë në transmetim publik.

    Nga yjet e mëdha që qëndruan në tribunën VIP tek protestat e mëdha të tifozëve për penallti.

    Pati edhe zënka e mosmarrëveshje në fushë nga futbollistët e Kosovës, por edhe një gjë shumë interesante ndodhi kur Bernard Berisha pjesën e dytë e shikoi së bashku me bashkëshortën e tij nga tribunat.

    Super yjet e Kosovës në tribunën VIP

    Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes kishte vendosur që t’i pushonte lojtarët kryesorë të Përfaqësueses. Amir Rrahmani, Herolind Shala, Milot Rashica, Vedat Muriqi e Bersant Celina ishin të veshur me rroba elegante dhe qëndruan në tribunën VIP. Nuk munguan fotot e tifozëve me yjet e mëdha të Kosovës.

    I gjithë stadiumi protestojnë tek gjyqtari për penallti

    Ndeshja filloi dobët me Kosovën që kërkonte të qante mbrojtjen e mysafirëve. Në minutën e 23-të, Bernard Berisha u pengua në zonë, por gjyqtari shqiptar Juxhin Xhaja heshti. Kjo bëri që gjithë stadiumi të protestonte duke vërshëllyer vendimin e gjyqtarit, shkruan Telegrafi.

    ‘Zënka’ mes Zhegrovës dhe Berishës për gjuajtjen e lirë

    Edon Zhegrova depërtoi bukur dhe u pengua nga mbrojtja kundërshtare në afërsi të zonës. Për ta ekzekutuar gjuajtjen e lirë Zhegrova kapi topin i pari, por Valon Berisha nuk e lejoi të godiste duke u zënë me njëri tjetrin. Gjithsesi Berisha gjuajti nga goditja e dënimit, por pa sukses.

    Thirrjet e shumta për Edon Zhegrovën

    Menjëherë pasi gjuajtjes së lirë të ekzekutuar nga Berisha, tifozët u solidarizuan me Zhegrovën duke e thirrur të gjithë të pranishmit emrin e tij.

    Zhegrova dhuron spektakël, elektrizon tifozët

    Edon Zhegrova ka bërë spektakël edhe në ndeshjen ndaj Gjibraltarit me top. Në një moment gjatë pjesës së parë, Zhegrova ia futi topin mes këmbëve kundërshtarit duke elektrizuar tifozët e pranishëm.

    Debat mes dy ‘Berishëve’ për një rivënie këndore

    Ishte fundi i pjesës së parë kur Bernard Berisha shkoi në shpejtësi për ta ekzekutuar një rivënie këndore, por ai u ndalua nga Valoni. Mesfushori i Lazios i bëri me duar anësorit duke i thënë se është ai që i ekzekuton rivëniet këndore.

    Futbollistët në tribuna pas pjesës së parë, Berisha e ndjek pjesën e dytë me bashkëshorten

    Me të përfunduar pjesa e parë, futbollistët që zëvendësuan u ngjitën në tribuna për të parë ndeshjen me familjarët e tyre. Bernard Berisha u ul në zonën VIP së bashku me bashkëshortën e tij. I pranishëm në stadium ishte edhe djali i Bernardit, Diari, që ishte njëherit edhe tifozi më i ri i babait të tij dhe Kosovës.

    Tre futbollistë me emrin Florent luajtën ndaj Gjibraltarit

    Ishte hera e parë që në një ndeshje të Kosovës luajtën tre futbollistë me të njëjtë emër. Florent, ishte emri më i përdorur në fushë nga futbollistët. Florent Hadërgjonaj dhe Florent Muslija e nisën ndeshjen nga minuta e parë, ndërsa Florent Hasani e zëvendësoi Florent Muslijën në minutën e 46-të.

    Numri i saktë i tifozëve të pranishëm në shkallët e stadiumit ‘Fadil Vokrri’

    Komentatori zyrtar i Përfaqësueses së Kosovës, Andin Lokaj pak minuta para fundit të sfidës, njoftoi edhe për numrin e saktë të tifozëve të pranishëm në stadium. 12,142 tifozë ishin të pranishëm në stadium që në fund i kënaqi vetëm fitorja e Kosovës, por jo edhe loja gjatë 90 minutave.

    Vërshëllehet Lirim Kastrati për vonim të lojës

    Sulmuesi i talentuar Lirim Kastrati në minutën e 92-të, e vonoi lojën duke e mbajtur topin afër rivënies fundore. Kjo gjë nuk i pëlqeu tifozëve që e vërshëllyen atë, por më nuk ndodhi të ketë vonesa.

    Vetëm katër futbollistë nuk u aktivizuan nga banka rezervë

    Bernard Challandes bëri pesë zëvendësime, ndërsa katër futbollistë mbetën në bakë dhe pa minuta për këtë sfidë. Dy portierët Arijanet Muric dhe Visar Bekaj si dhe mbrojtësit Mërgim Vojvoda dhe Fidan Aliti nuk luajtën asnjë minutë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!