Zakonisht kur lojtarë të ndryshëm në Evropë transferohen tek ndonjë klub futbolli ajo çfarë është primare të sigurohet nga mediat është kontrata që ka lidhur lojtari me klubin e caktuar, shkruan Reporteri.net.
Nëpërmjet kontratës që lojtari nënshkruan me klubin bëhet e ditur edhe paga e tij, ku mediat sigurojnë edhe shifra të sakta të pagës së lojtarit që do të përfitojë në muaj apo në vit.
Mirëpo në Kosovë asnjëherë nuk është bërë e ditur për pagën e lojtarëve të Superligës, ku në media disa herë janë përmendur shifra, por që burimi i tyre nuk ka qenë “kryekëput” nga kontrata e lojtarëve që kanë lidhur me klubet e Kosovës.
Lidhur me këtë ish-zëvendës sekretari i Federatës të Futbollit së Kosovës, Arianit Ahmeti në një bisedë për Gazetën Online, Reporteri.net, thotë se kjo është e drejtë ekskluzive e palëve kontraktuese, nëse dëshirojnë të bëjnë publike marrëveshjen e arritur.
“Është e drejtë ekskluzive e palëve kontraktuese, se a dëshirojnë ta publikojnë marrëveshjen e tyre, përndryshe nuk ka ndonjë rregullative juridike që e obligon palët kontraktuese t’i publikojnë marrëveshjet e tyre”, thotë Ahmeti.
Por, ndryshe nga Ahmeti shprehet bashkëpunëtori i jashtëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, njëherit edhe opinionist i futbollit në Kosovë, Arben Zeqiri i cili thotë se pagat e lojtarëve duhet publikuar pasiqë në top skuadrat e Evropës e top lojtarët e botës bëhen publike, ai shtron nevojën të bëhen publike tani, ngase sipas tij futbollisti paguhet me pagë dinjitoze, madje sipas tij ka lojtarë të cilët marrin paga të larta në raport me kontributin e tyre nëpër ndeshje.
“Padyshim që duhet me u publiku kur i publikojnë top ekipet e Evropës e top lojtarët e Botës, pse mos me i publiku ne, sidomos tani kur futbollisti paguhet dinjitetshëm e meritueshëm për profesionin kompleks që e ushtron
Derisa tash futbollistët mesatar mbipaguhen le të publikohen dhe le të kemi detaje shtesë për detajet analitike te profesionisteve, klubeve e menagjerëve rreth kontributit dhe pagesave që shumicën e rasteve janë shumë të larta në raport me kontributin, klasin dhe protagonizmin e tyre nëpër ndeshje, formeë individuale dhe rezultatet e objektivat ekipore”, vlerëson Zeqiri për Gazetën Online, Reporteri.net.
Ndërkaq, për trajnerin e njohur, njëherësh edhe analistin e futbollit, Ardian Llumnica, pagat e lojtarëve parimisht dhe dhe me ligj duhet të jenë konfidenciale, teksa shton se paga e lojtarëve publikohet nga mediat, por nuk tregohet nga klubet.
“Parimisht dhe ligjërisht pagat duhet të jenë konfidenciale për çdo punonjës, edhe për futbollist ët. Në botën e futbollit ajo zbulohet nga mediat, por nuk tregohet, ndersa vlera e futbollisitit që në zhargonin e futbollit quhet karton është publik”, thotë Llumnica për Gazetën Online, Reporteri.net.
Vlen të përmendet se tre lojtarë të skuadrës së KF Llapit si dhe katër të SC Gjilanit do të përfitojnë 100 euro nga Qeveria e Kosovës, çka do të thotë se ata kanë pagë më të ulët se 1 mijë euro.
Ditë më parë Gazeta Online, Reporteri.net, i ka pyetur klubet lidhur me këtë çështje, ku nga dy klubet janë deklaruar se lojtarët që do të përfitojnë këtë shumë parash nga Qeveria e Kosovës janë të grupmoshave U-19, por që janë me kontrata profesionale./Reporteri.net/.