Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë shumë e ashpër dhe ka kërkuar nga Policia dhe nga instancat tjera që për siguri dhe për mbrojtje të sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës ta ndalojnë zhvillimin e ndeshjes Trepça – Crvena Zvezda, e cila ka tendencë për ta penguar përfshirjen e skuadrave serbe në futbollin e Kosovës
Hapat gjigantë të ngritjes së futbollit të Kosovës dhe bërja që bota të flasë për Kosovën kanë bërë që Serbia të ndihet aq keq dhe të nisë një fushatë të paparë për ta penguar këtë. Duke mos zgjedhur mënyra sesi të parandalojë, të mundohet ta prishë imazhin dhe ta destabilizojë futbollin që zhvillohet në Republikën e Kosovës Serbia po vazhdon të mënyrë ilegale të organizojë ndeshje futbolli, duke e shkelur sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Ditë parë Federata Serbe e Futbollit njoftoi se do të organizojë ndeshje të karakterit garues në kuadër të Kupës së Serbisë në Zveçan, ndërmjet klubit ilegal “Trepça” nga Mitrovica e Veriut dhe klubit Crvena Zvezda nga Beogradi.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia ndërmerr këso hapash, duke mos respektuar asnjë rregullore as të UEFA-s e as të FIFA-s, e cila parandalon zhvillimin e garave në një territor të shtetit tjetër.
Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, Serbia ka për qëllim destabilizimin e gjendjes në veri të vendit tonë, derisa sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës Eroll Salihut, Serbia nuk mund ta prishë imazhin e futbollit të Kosovës, ajo është duke e prishur vetëm imazhin e vendit të vet dhe duke i treguar botës se nuk respekton asnjë marrëveshje ose rregullore.
Sekretari i përgjithshëm i Kosovës e pranon se nuk ndihet aspak mirë kur sheh dhe lexon për gjëra të tilla, pra sipas tij kjo nuk e prish imazhin e futbollit tonë, i cili dita-ditës po e bën botën të flasë për vendin tonë me të arriturat e shënuara.
Këto veprime sipas Salihut sigurisht që ndikojnë deri diku në imazhin e shtetit tonë, i cili duhet të reagojë dhe të mos lejojë më gjëra të tilla.
“Po e përsëris, këto ndeshje nuk e dëmtojnë imazhin e futbollit të Kosovës, por sigurisht e dëmtojnë imazhin e shtetin tonë, i cili nuk duhet të lejojë që kujt t’i teket të hyjë dhe të organizojë ndeshje të tjera. Gjithsesi, duhet pranuar se ndeshjet e tilla po e pengojnë FFK-në për t’i përfshirë skuadrat serbe në futbollin e Kosovës. Po e përsëris, ne si FFK-së do të ndërmarrim hapa konkretë që këto ndeshje dhe këto tendenca nga shteti serb të pengohen dhe të mos lejohen ndeshje të tilla”, ka thënë Eroll Salihu për gazetën “Zëri”.
Të kujtojmë se një ditë më parë ka qenë kryetari Agim Ademi që përmes një reagimi e ka ngritur ashpër zërin ndaj tendencës së Federatës së Futbollit të Serbisë që të organizojë ndeshje të karakterit garues.
Ai ka ftuar FIFA-n dhe UEFA-n që të reagojnë urgjentisht dhe të mos lejojnë të shkelen statutet e tyre dhe njëherësh të parandalojnë ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë. Po ashtu ai ka kërkuar nga institucionet e shtetit dhe nga organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së.