Policia e Kosovës ka arrestuar gjithsej pesë persona lidhur me sulmin fizik drejtuar portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, gjatë ndeshjes së sotme me Gjilanin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka bërë të ditur tashmë numri i të arrestuarve ka shkuar në pesë persona gjithsej.
Rasti i sotëm ku është sulmuar brutalisht portieri i klubit Ballkani tashmë është cilësuar si huliganizëm.
“Lidhur me rastin pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, të ndodhur sot gjatë ndeshjes sportive në Gjilan, Policia e Kosovës ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të arrestimit të personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre para organeve të drejtësisë”, tha Hashani.
Poashtu është thënë se si rezultat i hetimeve intensive deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar, dy nga të dyshimtit pas intervistimi janë dërguar në ndalim për 48 orë, transmeton lajmi.net.
“Ndalen për 48 orë për veprën penale ‘Lëndim trupore’ , ndërsa tre të tjerë ‘prishje e rendit’ dhe qetësisë publike’. Rasti procedohet në procedurë të rregullt. Hetimet dhe veprimet policore lidhur me rastin janë duke vazhduar”, theksoi ai.
Gjithshtu është theksuar se të gjitha veprimet që janë duke u ndërmarrë janë në koordinim me organet e drejtësisë.
Ndryshe gjatë ndeshjes së sotme Gjilani-Ballkani, portieri Stivi Frashëri, është sulmuar fizikisht derisa i njëjti gjendesh në fushë.