×
  • Sport
  • Sport

    Shumë keq për Kombëtaren, porta e Kosovës kurrë me e pasigurt se në ditët e sotme

    Reporteri
    07 Shkurt 2020 | 8:52

    Hekuran Kryeziu ka nisur të luajë, e Arbër Zeneli ka nisur të stërvitet, e së shpejti pritet edhe të luajë.


    Të tjerët, si Milot Rashica, Vedat Muriqi e Amir Rrahmani, kanë mbajtur formën e lartë, kurse disa “dardanë” kanë ndërruar skuadra në janar për më shumë minutazhë.

    Me gjithë këta, të shëndoshë e në formë, Përfaqësuesja e Kosovës pritet të jetë shumë më e fortë për ndeshjen e plejofit të Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut, më 26 mars në Shkup, shkruan sot Koha Ditore.

    Por, një problem që e ka përcjellë tash e sa kohë, do ta bartë me vete në ndeshjet e plejofit.Portieri mbetet problem i madh. Shumë bile.Dy portierët e parë, Përfaqësuesja e Kosovës i ka totalisht jashtë formës. Asnjëri, as Arijanet Muriq e as Samir Ujkani nuk po mbrojnë për skuadrat e tyre.

    Madje, portieri i parë, Muriq, ndeshjen e fundit e ka zhvilluar më nëntor, kur u paraqit me Kosovën në ndeshjen kundër Anglisë.Ai është i huazuar nga Manchester City te Nottingham Foresti në Championship, por ka muaj që ka humbur vendin e titullarit.

    E, së fundmi, as nuk po përfshihet në ekip. Kishte shpresë se në janar do të ndërronte skuadër për të gjetur hapësirën që i duhet, por të enjten u bë e ditur se ai do të mbetet në Nottignham deri në fund të stinorit.

    “Natyrisht që është shqetësuese situata e portierëve dhe do të kishim dashur që ata të jenë titullarë nëpër ekipet e tyre apo të kenë minutazhë më të madhe, por kjo është situata aktuale. Po shpresojmë që edhe Muriç edhe Ujkani, deri në muajin mars, të kenë paraqitje me ekipet e tyre. Mbi të gjitha, ne funksionojmë si grup dhe nuk besoj se do të vërehet ndonjë pikë e dobët, pasi kjo është ajo që e karakterizon ekipin tonë”, ka thënë ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti.

    Te Përfaqësuesja e Kosovës pranojnë telashin me portierin. Por, nuk kanë zgjidhje tjetër.

    Vetëm portieri i tretë, Visar Bekaj, po luan rregullisht për skuadrën e tij, por ai aktivizohet në Superligën e Kosovës me Prishtinën dhe trajneri Bernard Challandes nuk është i gatshëm t’i besojë ende.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!