×
  • Sport
  • Sport

    Skandal në Evropianin e mundjes, zv.presidenti i Federatës Botërore quan ‘tradhtar’ sportistin e Shqipërisë

    Reporteri
    10 Prill 2025 | 14:06

    Një skandal i vërtetë ka ndodhur gjatë dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian të mundjes, i cili ka përfshirë sportistin që përfaqëson Shqipërinë, Chermen Valiev-in dhe zëvendëspresidentin e Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili.

    Valiev, i cili fitoi medaljen e artë në kategorinë e tij, u cilësua si “tradhtar” nga Mamiashvili, me këtë të fundit që ushtroi forcë teksa i vendoste medaljen në qafë sportistit që përfaqëson ngjyrat kuqezi.

    Mamiashvili, i cili mban postin e zëvendëspresidentit të Mundjes Botërore, është njëkohësisht edhe kreu i Federatës Ruse të Mundjes, vendit të origjinës së Valiev-it.

    Ka qenë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) që ka zbuluar skandalin, duke e shoqëruar lajmin me një video të incidentit të ndodhur në Bratisllavë.

    “Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë”, shkruan KOKSH-i.

    “Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe Zv/Presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Evrope për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar”.

    “Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala ‘tradhëtar’ për Chermen Valiev-in, që ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë”, përfundon denoncimi i KOKSH-it.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!