Manchester United pësoi një humbje turpëruese 0-5 një javë më parë ndaj Liverpoolit në klasiken e futbollit anglez në “Old Trafford”, por përkundër zërave mediatikë, ia doli të konfirmohet në pankinën e “djajve të kuq”.
Në prag të transfertës ndaj Tottenhamit, tekniku norvegjez doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku nuk mund të mos e niste me një analizë për disfatën e një javë me parë në “Old Trafford”.
“E nisëm mirë, por ndeshja jonë përfundoi për katër minuta. Humbëm një mundësi të artë për të marrë avantazhin dhe më pas pësuam. Skuadra më dukej si një boksier i dehur nga grushtet e kundërshtarit, që bie menjëherë “knock out”. E kemi analizuar me imtësi atë ndeshje dhe sigurisht që kemi nxjerrë mësimet tona”, deklaroi Solskjaer.
Sa i përket sfidës në Londër, “djajtë e kuq” i pret një tjetër test i vështirë, megjithatë Solaskjaer është optimist që skuadra do të arrijë të reagojë në mënyrën e duhur.
“ne na duhet një reagim i fortë dhe natyrisht që është në dorën time t’ui vendos lojtarët në të njëjtën kornizë mendore, për të bërë mirë. Unë jam përgjegjës për lojën e tyre, për reagimin, për disfatën e për gjithçka, ndaj këto ditë kemi punuar shumë për planin taktik dhe mënyrën si të sillemi në fushë”, u shpreh norvegjezi.
Nuk ka munguar as një koment për lajmin se kishte pasur përplasje me Pogba, apo se ndeshja ndaj Tottenhamit është shansi i fundit për të ruajtur pankinën e “djajve të kuq”.
“Ne e respektojmë median, por nuk mund të pranojmë gënjeshtra. Nuk pati asnjë problem mes meje dhe Pogba, përveçse të dy ishim të zemëruar me veten tonë për atë që ndodhi në fushë. Nuk është e vërtetë as që ndeshja me Tottenhamin, vendos për të ardhmen time. Natyrisht që një trajner varet nga rezultatet, por deri tani nuk ka pasur asnjë ultimatum për punën time”, u shpreh Solskjaer.