×
  • Sport
  • Sport

    Sot përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit

    Reporteri
    28 Shkurt 2020 | 8:25

    Shtatorja e kampiones Olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi, do të përurohet sot, të premten, në vendlindjen e saj, në Pejë.


    Përurimin e shtatores do ta bëjë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten, transmeton Gazeta Express.

    Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

    Trajneri i saj, Driton Kuka, e kishte konfirmuar në korrik të vitit të kaluar, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’i ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

    Kuka kishte thënë se “artistët më të njohur në botë janë ftuar për ta punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”.

    Përkundër që kjo statujë u ndërtua nga Federata Botërore e Xhudos, Kuka bëri të ditur se ajo do të vendoset në Kosovë dhe kërkoi sugjerime për lokacionin e saktë.

    Pikërisht lokacioni ishte bërë problemi kryesor në këtë çështje, pasi që Driton Kuka thoshte se Komuna e Prishtinës s’i ka kthyer atij përgjigje qysh nga vera për lokacionin e statujës së Majlinda Kelmendit. Më vonë u vendos që ajo shtatore të ngrihet në Pejë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!