×
  • Sport
  • Sport

    Tifogrupet kosovare mobilizohen për ta ndihmuar Shqipërinë

    Reporteri
    26 Nëntor 2019 | 18:11

    Shumë tifozë të klubeve shqiptare janë mobilizuar për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit që e ka goditur vendin.


    Tashmë janë konfirmuar 20 viktima, e mbi 600 të tjerë janë lënduar.

    Tifogrupet “Plisat”, “Ujqit”, “Arpagjikët”, “Intelektualët”, “Torcida”, “Vreshtarët” e të tjera janë organizuar për të mbledhur ndihma për qytetarët në Shqipëri.

    Mobilizimi në ndihmë vëllezërve e motrave në Shqipëri, po merr përmasa të mëdha kudo në Kosovë.

    Dhjetëra të rinj të tifozerisë së qytetit, “Ujqit” e grupe të tjera qytetare janë mbledhur sonte në sheshin para Komunës së Ferizajt me qëllim grumbullimin e veshmbathjeve dhe ushqimeve në ndihmë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që këtë mëngjes u goditën nga tërmeti shkatërrimtar.

    Të bashkuar rreth këtij qëllimi solidar, përfaqësuesit e tifozerisë “Ujqit” thanë se me këtë nismë sadopak synojnë të ndihmojnë rimëkëmbjen pas shkatërrimeve të evidentuara sot nga tërmeti që epiqendër pati Durrësin dhe zona tjera përreth, që për fatin e keq, pati edhe viktima e dëme materiale.

    Për t’i garantuar mbështetjen e tij dhe qeverisjes lokale në këtë nismë solidare, doli edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorët komunalë, i cili i siguroi këtij komuniteti dhe gjithë nismave të tilla komunitare, mbështetjen e pakursyer në ndihmë Republikës së Shqipërisë nga dëmet e tërmetit.

    Nga kjo nismë kërkohet nga qytetarët e Ferizajt që të sjellin veshmbathje e ushqime që sadopak do të ndikonin në përballimin më të lehtë të gjithë kësaj situate.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!