Selektori i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough është i vendosur që ta gëzojë popullin e tij me një fitore në fund të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Kjo Kombëtare nuk e ka gjetur ende rrugën drejt fitores në këtë kampanjë duke i regjistruar 2 barazime e 2 humbje në muajin qershor.
E tash, Irlanda e Veriut synon ta thyejë akullin këtë të shtunë derisa do ta presë Kosovën në ndeshjen e parafundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, shkruan Express.
Trajneri veri-irlandez beson se një fitore eventuale do ta rikthente vetëbesimin dhe se do ta ngriste moralin e ekipit të tij.
“Ne jemi vetëm në gjysmë të rrugës së ciklit tonë, po e ndërtojmë ekipin për kualifikimet e Euro 2024. Krejt e dinë se në qershor ishim të pafuqishëm. Tash synojmë ta mbyllim kampanjën e Ligës së Kombeve sa më lartë dhe më pas të shkojmë në shortin e Evropianit në tetor”, deklaroi selektori i Irlandës së Veriut.
Kosova e kishte mposhtur Irlandën e Veriut në muajin qershor me rezultat 3:2.
Ndërsa, të shtunën në Belfast këto dy Kombëtare do të përballen prapë në mes vete në kuadër të Grupit 2 të Ligës C, shkruan “Gazeta Express”.
Më pas, të martën që vjen, veri-irlandezët do të kenë punë me Greqinë, kurse “Dardanët” do ta mbyllin këtë edicion të Ligës së Kombeve me duelin ndaj Qipros në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Aktualisht, Kosova është e dyta në grup me 6 pikë, kurse Irlanda e Veriut e treta me 2 pikë.